Çmimet në Kosovë janë më të larta në muajin mars të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar për 7.6 për qind.
Ndërkaq, indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i ulët në një mesatare prej 0.4% në muajin mars 2023, krahasuar me muajin shkurt të këtij viti.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i ulët në një mesatare prej (-0.4%) në muajin mars 2023, krahasuar me muajin shkurt 2023. Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: pajisje telefonike dhe të telefaksit (-22.7%); energji elektrike (-7.1%); shërbime për transport (-2.8%); vajra dhe yndyra (-1.8%); lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (-1.8%); dhe qumësht, djathë dhe vezë (-1.0%). Ndërsa, ngritje e çmimeve të konsumit vërehet te nëngrupet e COICOP-it: prodhime ushqimore (1.8%); rekreacion dhe kulturë (0.6%); mobile, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e shtëpisë (0.4%); si dhe veshje dhe këpucë (0.2%)”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.
Sipas këtij raporti, inflacioni vjetor i matur në muajin mars 2023 me muajin mars 2022 ishte 7.6%.
Ndërsa, sipas njoftimit të ASK-së, rënie e çmimeve vërehet te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal (-6.9%); energji elektrike (-4.8%); pajisje audio-vizuele dhe fotografike për përpunimin e informatave (-3.0%); mjete të komunikimit (-2.9%); gaz (-1.3%); dhe sigurime (-0.3%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.7 për qind).