REL: Raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi, javën e ardhshme
Lajme
Lexohet për: 2 min.
REL: Raundi i ri i dialogut Kosovë-Serbi, javën e ardhshme
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Javën e ardhshme, që sipas të gjitha gjasave të enjten më 24 tetor, në Bruksel pritet të zhvillohet rundi i ri i takimeve në kuadër të dialogut për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të kryenegociatorëve.

Kështu thanë burimet diplomatike të Radios Evropa e Lirë në Bashkimin Evropian, pa dhënë hollësi për takimet.

Në BE gjithmonë e përdorin fjalën “takime”, pasi nuk janë të sigurt nëse do të ketë takim trepalësh, pra takim mes dy delegacioneve në prani të lehtësuesit nga BE-ja.

Deri më tani, zakonisht janë zhvilluar takime dypalëshe mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, por jo edhe takime trepalëshe.

Herën e fundit kur është zhvilluar një takim trepalësh ka qenë takimi i 2 korrikut të këtij viti. Megjithatë, pas takimit palët dolën me qëndrime diametralisht të kundërta rreth asaj që kishte ndodhur në takime. Palët e kishin akuzuar njëra-tjetrën për “mungesë të gatishmërisë për dialog”.

Ditëve të fundit, Lajçak ka mbajtur konsultime me palët. Por, përpos pohimeve se po shqyrtohet rruga përpara në dialog, nga ana e BE-së – që ndërmjetëson këtë proces që ka nisur më 2011 – nuk kanë dhënë hollësi se me cilat tema do të merren palët në takimet e radhës.

Emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka mandat në këtë post deri në fund të muajit janar  2025. Ndërkaq, në BE presin të shohin se çfarë qasje rreth dialogut do të ketë përfaqësuesja e re e lartë për politikë të jashtme, Kaja Kallas, pasi ajo të merr mandatin.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024