Raporti për zgjerimin e BE-së, integrimi i Kosovës lidhet me progresin në dialogun me Serbinë
Miratimi i raportit për strategjinë e zgjerimit nga Parlamenti Evropian është vlerësuar si një sinjal i rëndësishëm për vendet aspirante, përfshirë Kosovën. Eurodeputetët kanë theksuar se zgjerimi i Bashkimit Evropian përbën një përgjigje strategjike ndaj zhvillimeve të reja gjeopolitike dhe një investim për sigurinë dhe stabilitetin e unionit.
Njohës të procesit të integrimit evropian në Kosovë thonë se raporti konfirmon se zgjerimi tashmë është kthyer në një prioritet gjeopolitik për BE-në, por theksojnë se përparimi i Kosovës në këtë rrugë mbetet i lidhur ngushtë me dialogun me Serbinë.
Drejtoresha ekzekutive në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, Njomza Arifi, vlerëson se në rrethanat aktuale të sigurisë në Evropë, procesi i zgjerimit nuk po shihet më vetëm si pjesë e politikës së jashtme të BE-së, por si një domosdoshmëri strategjike për stabilitetin e kontinentit.
Ajo thotë për KosovaPress, se raporti i miratuar përmend edhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë si element të rëndësishëm për rrugën drejt integrimit evropian.
Sipas saj, Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë se nuk dëshiron të pranojë në gjirin e tij shtete që mbartin mosmarrëveshje të pazgjidhura mes tyre, prandaj progresi në dialog do të reflektohet drejtpërdrejt edhe në avancimin e dy vendeve drejt BE-së.
“Raporti i këtij viti që u aprovua së fundmi konfirmon që procesi i zgjerimit për Bashkimin Evropian tashmë është kthyer në një prioritet gjeopolitik për shkak të kontekstit aktual të sigurisë që është cenuar në Evropë. Detyrimisht, procesi i zgjerimit më nuk po shihet si pjesë e politikës së jashtme të BE-së, por edhe një domosdoshmëri strategjike për sigurinë dhe stabilitetin në rajon... Sa i përket Kosovës, një pjesë që përmendet për Kosovën është çështja e dialogut me Serbinë. Tashmë është e qartë që për Bashkimin Evropian, procesi i integrimit, sikurse për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, është i ndërlidhur ngushtë me përparimin që do të bëhet në procesin e dialogut, sepse Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë që nuk është i interesuar që të importojë në mesin e tij shtete anëtare të reja të cilat kanë mosmarrëveshje bilaterale mes vete. Prandaj, çdo progres në dialog, sikurse për Kosovën edhe për Serbinë, do të jetë progres në rrugën drejt BE-së. Pra, është një çështje që tashmë është ndërlidhur për të dyja shtetet”, thotë ajo.
Në anën tjetër, njohësi i integrimeve evropiane Adrian Zeqiri thotë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet një nga kushtet kryesore për përparimin në procesin e integrimit.
Ai thekson se mungesa e progresit në këtë proces nënkupton edhe ngecje në rrugën evropiane të Kosovës.
Sipas tij, raporti reflekton realitetin aktual, ku vlerësohet se dialogu ka shënuar stagnim dhe se pa përparim në këtë drejtim është e vështirë të priten hapa të mëdhenj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
“Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është kyç për integrimin evropian. Këtë e ka bërë të qartë BE-ja për Kosovën dhe Serbinë. Ne mundemi të mos bëjmë dialog, por ne do të kemi ngecje në integrimet evropiane. Unë mendoj se këtu jemi dhe ky raport është i kësaj natyre që vlerësohet se ka pasur ngecje në dialog dhe asnjë hap i madh i Kosovës drejt integrimeve evropiane nuk do të ndodhë pa përparim në procesin e dialogut”, deklaron ai.
Ndërkohë, hulumtuesja në GLPS, Arifi, vlerëson se situata politike e brendshme në Kosovë ka ndikuar gjithashtu në ngadalësimin e reformave që lidhen me procesin e integrimit.
Ajo thekson se vendi tashmë po hyn në vitin e dytë të krizës politike dhe se stagnimi gjatë vitit 2025 ka ndikuar në mungesën e progresit si në dialog, ashtu edhe në zbatimin e reformave të nevojshme për rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Eurodeputetët theksuan tutje se anëtarësimi në BE i vendeve të rajonit duhet të mbetet i bazuar në meritë dhe se asnjë vend nuk duhet të trajtohet si pjesë e një pakete.
Raporti gjithashtu thekson se përputhja me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së është parakusht kyç i shteteve kandidate për anëtarësim në BE. /KosovaPress/
/Kosovapress/