Rusia ka përshkallëzuar fushatat e saj hibride brenda kufijve të NATO-s në përgjigje të mbështetjes së unifikuar për sovranitetin dhe fitoren e Ukrainës, thuhet në raportin gjithëpërfshirës nga Komisioni i Helsinkit të SHBA-së të titulluar “Lufta në hije e Rusisë kundër NATO-s”.
Raporti thekson përdorimin e sulmeve kibernetike dhe sabotazhit fizik për të minuar infrastrukturën kritike, si spitalet, trenat dhe objektet e ujit, duke rrezikuar sigurinë publike dhe besimin në burimet jetike, transmeton KosovaPress.
“Sulmet e tilla, përfshirë ato ndaj sistemeve shëndetësore, kanë qenë të shpeshta në dy vitet e fundit, me përfshirjen e objekteve të kujdesit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara dhe Rumani. Kjo ka çuar në ndërprerje të shërbimeve vitale dhe ka rritur shqetësimet për sigurinë e ujit të pijshëm, duke përfshirë infiltrimin në objektet e ujit në Teksas, Francë dhe Poloni.”
Sipas raportit, një tjetër shqetësim i ngritur është ndërhyrja e sinjalit GPS, që ka ndikuar në fluturimet evropiane dhe ka shkaktuar probleme në transportin ajror në rajonin Baltik.“Këto sulme synojnë të minojnë besimin e shoqërive të lira dhe të destabilizojnë Aleancën Perëndimore, që mbetet një pengesë kryesore për ambiciet perandorake të Moskës”, thuhet në raport.