Në Kuvendin Komunal të Deçanit është mbajtur sot seanca konstituive, ku u bë betimi i kryetarit të rizgjedhur, Bashkim Ramosaj, si dhe i asamblistëve të rinj.
Kryetari Ramosaj, i cili fitoi zgjedhjet me 50.98 për qind të votave, premtoi qeverisje të drejtë, transparente dhe me llogaridhënie për qytetarët e Deçanit.
“Jam sot këtu para jush me krenarinë qe çdokujt ja jep ky qytet. Krenari që vranë nga njerëzit e ndershëm, bujar e punëtor të këtij qyteti. Krenari deri në mburrje me të drejtë të cilën trashëgojmë edhe nga paraardhësit tonë që sakrifikuan që ky qytet të jetë i tillë e të ketë historinë e krenarinë e tillë. Qytetarë të nderuar, duke qenë përjetësisht mirënjohës për besimin tuaj. Do të jem shërbëtor i përulur në funksion të qëllimeve, synimeve tona të përbashkëta...Si kryetar i komunës, qytetar i këtij vendi, do të vazhdojë të flasë me punë, sepse ky ishte edhe slogani ynë, slogani i aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Në këtë pjesë do të vazhdojmë me përkushtim të punojmë për zotimet tashme të deklaruara për çdo sektor të jetës. Për arsimin, shëndetësinë, mirëqenien, infrastrukturën, zhvillimin ekonomik e turizmin, kulturën, rininë, sportin, trashëgiminë e kështu me radhë”, ka theksuar Ramosaj.
Ai rikujtoi sfidat historike të qytetit dhe rëndësinë e bashkëpunimit për zhvillimin e mëtejshëm.
Seanca konstituuive është udhëhequr nga asamblisti më i vjetër në moshë, Mustafë Selmanaj.