Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar lidhur me debatin për projektin e zhvillimit në zonën e Sazanit dhe Zvërnecit, duke theksuar se procesi administrativ është ndjekur me transparencë dhe është vlerësuar nga institucionet evropiane, raporton KosovaPress.
Përmes një statusi në Facebook, Rama deklaroi se Komisioni Evropian është njohur në detaje me të gjithë dokumentacionin dhe procedurat administrative që lidhen me projektin, derisa ka shpërndarë edhe një video ku komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ka shprehur qartë qëndrimin e saj për këtë çështje.
“Në baza të tilla, ne të gjithë duhet të punojmë mbi bazën e fakteve. Komisioni Evropian është në kontakt të vazhdueshëm me autoritet shqiptare, jo vetëm me kryeministrin Edi Rama... Sa i përket projektit në zonën Pishporo-Nartë, ashtu si për të gjitha projektet tjera në Shqipëri, ai do të duhej të jetë në përputhje me kuadrin ligjor, dhe me standardet e caktuara në kapitullin e mjedisit, Kapitulli 27 i procesit të anëtarësimit. Ky kapitull aktualisht është i hapur. Përpara se të mbyllet, situata duhet të sqarohet plotësisht, ndërsa mbyllja e tij parashikohet deri në fund të vitit 2027. Roli ynë do të jetë të verifikojmë nëse standardet janë përmbushur”, ka thënë Kos.
Rama u bëri thirrje kritikëve që t’u referohen dokumenteve zyrtare dhe fakteve konkrete, duke lënë të kuptohet se pretendimet kundër projektit nuk mbështeten në të dhëna të verifikuara.
Projekti i zhvillimit në zonën e Sazanit dhe Zvërnecit ka ngjallur debate të forta, ndërsa qeveria në Shqipëri këmbëngul se procedurat janë zhvilluar në përputhje me ligjin dhe standardet e kërkuara.