Rama: Negociatat me BE-në po ecin përpara me shpejtësi unike, kemi në krah KE-në
Drejtat Autoriale
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Rama: Negociatat me BE-në po ecin përpara me shpejtësi unike, kemi në krah KE-në
EdiRama1234
07/04/2026 - 16:26
Linku u kopjua

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi sot se procesi i negociatave me Bashkimin Europian po ecën përpara me shpejtësi unike, ndërsa në krah kemi Komisionin Europian që ka dhënë vlerësim jashtëzakonisht pozitiv për Shqipërinë.

I pranishëm në një aktivitet për prezantimin e vendeve të lira të punës në sektorin publik, Rama u ndal tek ecuria e negociatave me Bashkimin Europian, ndërsa vlerësoi rolin e administratës publike në këtë proces.

“Procesi i negociatave po ecën para me sukses dhe me një shpejtësi unike jo vetëm për meritën tonë, por dhe për kontekstin në të cilin zhvillohet gjeopolitikisht”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se procesi po ecën edhe falë kësaj administrate që zhvillohet dhe rritet në çdo aspekt, pavarësisht problematikave që nuk mungojnë dhe çështjeve që kanë nevojë të adresohen çdo ditë.

“Sot jemi në kushtet kur po ballafaqohemi me Komisionin Europian, të cilin e kemi në krah, gjë që është shumë e rëndësishme dhe përballë kemi shtetet anëtare, për piketat e ndërmjetme që janë moment kyç në negociata dhe për të cilat KE ka dhënë vlerësim jashtëzakonisht pozitiv për Shqipërinë”, shtoi Rama.

Kryeministri hodhi poshtë po ashtu zërat se negociatat janë bllokuar.

“Flitet e përflitet lart e poshtë për arsye të mosarsyes se negociatat janë bllokuar, janë ndaluar dhe penguar totalisht. Kjo është e pavërtetë dhe kush e thotë këtë nuk e ka idenë për çfarë flet”, u shpreh Rama.

Rama theksoi se negociatat nuk janë shëtitje në lëndinë, por janë një proces testimi i vazhdueshëm dhe provimesh të vazhdueshme.

“Ky provim që tani zhvillohet mes nesh dhe vendeve anëtare është një provim kyç, por ama nuk ka absolutisht, zero, motiv për të folur për bllokim apo pengim. Jemi totalisht sipas agjendës së përcaktuar”, shtoi Rama, raporton ATSH.

Sipas tij, “prilli është muaji i diskutimeve intensive, pasi në fund të marsit janë mbledhur të gjitha pyetjet e vendeve anëtare dhe pas diskutimeve do të vijë edhe vendimmarrja”.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026