Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Japoni, u mirëprit sot në një ceremoni të veçantë me Gardë Nderi nga kryeministrja japoneze Sanae Takaichi.
Në nisje të takimit, kryeministri Rama falënderoi për mikpritjen e paharrueshme që iu rezervua, ndërsa theksoi se marrëdhënia Shqipëri-Japoni bazohet tek vlera dhe parime të përbashkëta për botën në të cilën dy vendet dëshirojnë të jetojnë.
“E nderuar Kryeministre! Së pari më lejoni t’Ju falënderoj për mikpritjen Tuaj, të cilën nuk do ta harroj, dhe gjithashtu kam dëshirë të them se kam patur mundësinë të jem pjesë e shumë ceremonive, por kjo ceremoni e sotmja ka qenë shumë e veçantë”, tha Rama.
Rama tha se kjo ishte vizita e tij e dytë në Japoni në një kohë relativisht të shkurtër dhe shtoi se “me shumë kënaqësi presim fuqizimin e kësaj marrëdhënieje”.Nga ana tjetër, kreu i qeverisë e ftoi kryeministren japoneze që të marrë pjesë në samitin e NATO-s që do të mbahet në Shqipëri në vitin 2027.
“Dëshiroj t’u them dhe paraprakisht që vitin e ardhshëm në Tiranë ne do të organizojmë samitin e NATO-s dhe për këtë arsye kam kënaqësinë e veçantë t’Ju ftoj të merrni pjesë në atë samit. Dhe në fakt, kur të vini do të jetë dhe rasti i parë kur një kryeministër apo kryeministre të vizitojë Shqipërinë në një vizitë shtetërore dhe do të ishte kënaqësi që t’ju mikprisnim dhe në njëfarë mënyrë “të marrim hak”, për këtë mikpritje kaq të ngrohtë që ju na keni ofruar dhe na ka lënë mbresa”, tha Rama.
“Para se ta mbyll më lejoni t’Ju përgëzoj për fitoren Tuaj fantastike dhe është mbresëlënëse që shikojmë një grua në krye të qeverisë me të gjithë të tjerët që janë burrat në kabinetin e saj, jeni e dyta pas ish-kryeministres së Britanisë, të ndjerës Margaret Thatcher. Faleminderit shumë, një urim për ju dhe popullin tuaj!”, tha Rama.