​Rama në foton familjare me liderët në Samitin e Komunitetit Politik Europian
Lajme
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
​Rama në foton familjare me liderët në Samitin e Komunitetit Politik Europian
WhatsApp-Image-2026-05-04-at-10.59.09-AM
04/05/2026 - 11:50
Linku u kopjua

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet sot në Jerevan të Armenisë, ku mbahen punimet Samitit të 8-të të Komunitetit Politik Europian, teksa ndau pamje nga foto familjare me liderët pjesëmarrës në këtë samit.

Më herët kryeministri Rama dhe delegacioni që e shoqëronte u mikpritën nga Kryeministri i  Armenisë, Nikol Pashinyan.

Samiti i këtij viti ka bërë së bashku 48 kryetarë shtetesh dhe qeverish nga i gjithë kontinenti nën moton “Ndërtimi i së Ardhmes: Uniteti dhe Stabiliteti në Europë”, ndërkohë që Kryeministri i Kanadasë Mark Carney, do të marrë pjesë si i ftuar në samit, duke shënuar herën e parë që një vend jo-europian merr pjesë në takim.

Në një kohë transformimesh të thella gjeopolitike, diskutimet fokusohen në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve europiane, koordinimin e veprimeve për rritjen e qëndrueshmërisë demokratike, si dhe avancimin e lidhshmërisë dhe sigurisë ekonomike e energjetike.

Samiti bashkëkryesohet nga Presidenti i Këshillit Europian António Costa dhe Kryeministri i Republikës së Armenisë, Nikol Pashinyan.

Në kuadër të Samitit, Kryeministri Rama do të marrë pjesë në takimin e dytë informal të Koalicionit Europian Kundër Drogave (ECAD), i cili do të bashkëkryesohet nga Presidenti francez Emmanuel Macron dhe Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni.

Diskutimet do të përqendrohen në forcimin e luftës kundër trafikut të drogës, përfshirë trafikun detar dhe në porte, luftën kundër flukseve të paligjshme financiare, pastrimit të parave dhe korrupsionit, si dhe adresimin e sfidave që lidhen me drogat sintetike në Europë.

Një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet një qasjeje gjithëpërfshirëse që përfshin masa parandaluese, trajtim, ulje të rrezikut dhe rikuperim.

Gjithashtu, kryeministri Rama do të marrë pjesë në tryezën e rrumbullakët të bashkëkryesuar me Kryeministrin e Finlandës Petteri Orpo, me temë “Forcimi i lidhshmërisë dhe sigurisë ekonomike në kontekstin e tranzicionit të gjelbër”, ka shkruar ATSh.

Në këtë sesion do të diskutohen masa konkrete për rritjen e lidhshmërisë në sektorët e energjisë dhe atij dixhital, si dhe për sigurimin e zinxhirëve të qëndrueshëm të furnizimit, duke reduktuar varësitë në kuadër të tranzicionit energjetik.

Pjesëmarrja në këtë samit konfirmon angazhimin e Shqipërisë për të qenë një aktor aktiv në diskutimet strategjike evropiane dhe për të kontribuar në ndërtimin e një Europe më të qëndrueshme, të sigurt dhe të bashkuar.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026