Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha sot se hetimet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për origjinën e pronës në Zvërnec, ku planifikohet që të ndërtohet një resort turistik, është një zhvillim pozitiv.
Gjatë një konference për shtyp së bashku me presidentin e Komisionit Evropian, Antonio Costa, kreu i qeverisë tha se aspekti pozitiv i çështjes lidhet me hetimin e origjinës së pasurisë, një problem që prej kohësh është ngritur dhe diskutuar publikisht.
Rama nënvizoi se investitorët kanë reputacion të padiskutueshëm dhe se fondet e përdorura për blerjen e pronës janë kontrolluar nga agjencia shqiptare kundër pastrimit të parave në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, duke rezultuar tërësisht të ligjshme.
“Kjo e SPAK-ut ka dy pjesë. Ka pjesën pozitive që i takon SPAK dhe ka pjesën e shëmtuar që i takon zëdhënësve të vetofruar të SPAK. Pjesa pozitive është e hetimit mbi origjinën e një pasurie. Sa kohë ky është një problem i ngritur me të drejtë apo pa të drejtë, këtë nuk e dimë, por i ngritur dhe pastaj i shumëpërfolur aq më tepër për sa kohë kjo përfolje lidhet me një hetim të nisur sa i takon subjektit është pozitive që SPAK ta hetojë origjinën e kësaj prone”, u shpreh Rama.“Janë investitorë me një reputacion të padiskutueshëm, burimet financiare të të cilëve për të përcjellë pagesën tek zotëruesit e pronës, nuk është një janë disa zotërues të pronës, sepse nuk është një, janë investiguar si të gjitha rastet e tjera, por në këtë rast edhe më imtësisht nga agjencia jonë e pastrimit të parave që nuk është një agjenci që vepron si një ishull, por në koordinim me partnerët ndërkombëtarë dhe ka rezultuar totalisht legale dhe të ardhurat nga institucionet financiare me reputacion global. Kështu që kjo çështje siç është me dy pamje duhet ndarë me dy pjesë”, theksoi kreu i qeverisë.
“Investitorët janë tërësisht në të drejtën e tyre. Bllokimi i transaksionit nga ana e tyre është arbritrar dhe negativ, ndërkohë që bllokimi i kalimit të parave tek pronari për të cilin ka dyshime është një çështje e drejtë, një e drejtë e organit hetimor. E konsideroj këtë pozitive. Ka një aspekt tjetër pasi në këtë rast investimi vazhdon me pronarët e vet të rinj dhe të ligjshëm dhe në rast se hetimi nxjerr tjetër orgjinë prone ata që e pretendojnë apo kanë të drejtën e asaj prone, fare mirë mund të marrin ato para. Të gjitha palët janë të lumtura, përveç palës që ka mashtruar, në rast se ka mashtruar, por këtë e tregon hetimi”, tha Rama.