Ekzistojnë dyshime serioze për përfshirjen e shtetit serb në armatosjen dhe mbështetjen e grupeve të armatosura që vepruan në veri të Kosovë, përfshirë sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku dhe u plagosën tre të tjerë. Kështu ka thënë në një intervistë për mediat serbe, gazetari Milan Radonjiq.
Duke folur në një podcast në Nova, ai theksoi se personat e përfshirë në këto incidente kanë vepruar me bindjen se kishin mbështetje të plotë nga shteti, si në aspektin e furnizimit me armatim, ashtu edhe në mbështetje logjistike, transmeton KosovaPress.
“Pjesëmarrësit serbë në sulmin e Banjskës, nuk shkuan atje për shkak të figurës që përfaqësonte Milan Radoiçiqi si individ, por sepse ai aty në fakt ai përfaqësonte shtetin. Sepse është shteti ai që i ka dhënë atij armët, që i ka dhënë fuqinë që për një kohë kaq të gjatë të menaxhojë jetët e njerëzve në Kosovë,” tha Radonjiq.
Kujtojmë se së fundmi, në Kosovë janë dënuar katër terroristë serbë për pjesëmarrje në agresionin në Banjskë, ndërkohë që Serbia nuk ka ndjekur penalisht asnjë nga të dyshuarit.