Derisa ushtarët tanë rrezikojnë jetën për sigurinë e Kosovës, qeveria po e rrezikon shëndetin e tyre përmes papërgjegjshmërisë. Kështu ka thënë nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni derisa e ka quajtur të turpshme mënyrën e furnizimit me ushqim për ushtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës.
Në një konferencë për media, Quni tha se kjo situatë alarmante është si rezultat i dështimit të qeverisë për të planifikuar dhe menaxhuar shërbimet për FSK-në.
Quni theksoi se ushtarët po përballen me rrezikun real të helmimit nga ushqimi dhe infeksioneve për shkak të kushteve sanitare dhe shërbimeve të pa qëndrueshme ushqimore.
Ai tha se kjo situatë ka ndodhur si shkak i mbështetjes së qeverisë në kontrata emergjente të menaxhuara pa transparencë dhe llogaridhënie.
Ndërkaq, anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj njoftoi se kanë mbledhur nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme, për të adresuar këtë çështje.