QKUK këtë muaj pritet të hapë konkurs për pozitat me ushtrues detyre
Intervista
Lexohet për: 3 min.
QKUK - Hyrja (2 of 2)
1 muaj më parë
Linku u kopjua

Qendra Klinike Universitare e Kosovës gjatë këtij muaji pritet të hapë konkurs për plotësimin e të gjitha pozitave që janë me ushtrues detyre në këtë institucion, ndërkohë që nga java e ardhshme klinikave të këtij institucioni shëndetësor do t’u bashkëngjiten edhe rreth 100 infermierë.

Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Osman Hajdari thotë për KosovaPress se ka kërkuar nga zyra e personelit të QKUK-së një analizë për pozitat me ushtrues detyre, për t’i hapur rrugë hapjes së konkurseve.

“Ka dy javë që kam kërkuar prej zyra e personelit të QKUK-së analizën, përgatitjen e krejt pozicioneve, të cilat janë me ushtrues detyre, të gjitha do të jenë në konkurs publik... Konsideroj se nga ky muaj, në momentin që kemi drejtorët e klinikave, ato pozicione që janë të lira dhe ato që do të dalin, pasi tash iu kalon një pjesë e mandatit, me automatizëm do të shpallen kryeteknikët e klinikave. Kudo që ka ushtrues detyre me pozita menaxheriale dhe janë me ushtrues detyre, me automatizëm iu përgatitet konkursi dhe e shpallim...Unë konsideroj që brenda këtij muaji mund të ketë me siguri edhe konkurs për drejtorë të klinikave, edhe për staf tjetër shefa të sallave”, tha Hajdari.

Hajdari thotë se po punojnë për reduktimin e listës së pritjes dhe për shërbime sa më cilësore për pacientët. 

Sipas të gjeturave të Zyrës se Auditorit mungesa e anesteziologëve ka ndikuar te pritjet e gjata për ndërhyrje kirurgjikale në QKUK, por udhëheqësi i kësaj qendre thotë se po planifikojnë shfrytëzimin maksimal të kapaciteteve dhe presin edhe ardhjen e specializantëve të rinj.

Ndër sfida tjera për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Hajdari potencon furnizimin me barna nga lista esenciale. 

Ai thotë se nga java e ardhshme klinikave të këtij institucioni shëndetësor do t’u bashkëngjiten edhe rreth 100 infermierë.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se QKUK lëngon nga listat e pritjes së pacientëve. Sipas auditimit, pritjet më të gjata për shërbime mjekësore janë në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare, atë të ortopedisë, oftalmologjisë, kardiologjisë, radiologjisë dhe kardiokirurgjisë.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024