Një skandal i paprecedentë ka goditur Evropianin e Golfit, ku politika ka ndërhyrë ashpër duke lënë jashtë përfaqësimit shtetëror Kosovën.
Lojtarit përfaqësues, Azer Bislimaj, iu mohua kjo e drejtë pasi që nën presionin e Qeverisë Qipriote, përkatësisht Ministrisë së Arsimit dhe Sportit atje, organizatorët theksuan se flamuri i Kosovës nuk do të lejohej të shfaqej për shkak të mosnjohjes së pavarësisë së shtetit nga ana e Qipros.
“Më datë 27 maj, neve na ka ardhur një email prej Federatës Evropiane të Golfit e cila ka komunikuar drejtpërdrejt me Federatën e Golfit të Qipros gjatë përgatitjeve të fundit, se ndërkohë ka pasur një ndërhyrje nga qeveria qipriote, përkatësisht nga Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, se flamuri jonë, flamuri i Kosovës nuk është i mirëseardhur dhe nuk do të lejohet shfaqja e tij në ambientet e Eléa Golf Resort aty ku aktualisht është duke u zhvilluar Kampionati Evropian me 28 shtete.”, theksoi Zylfiu.
Duke folur për objektivat sportive të përfaqësuesit kosovar në këtë kampionat, Zylfiu tha se synimi kryesor ishte renditja mes lojtarëve më të mirë të Evropës.Në fund, ai kërkoi angazhim më të madh institucional dhe shoqëror për të shmangur raste të ngjashme në të ardhmen për sportistët dhe përfaqësuesit e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Ne si shoqëri duhet të mobilizohemi gjithashtu, të kemi një përkrahje ekstra nga Qeveria e Kosovës në mënyrë që vitet pasuese mos na ndodhin jo veç neve si golf, po të gjithë kolegëve të tjerë nga federatat e tjera sportive nga Kosovë, nga komuniteti kulturor i Kosovës që ngjarjet që do të ndodhin në tokën e shteteve që s'e ka njohur Kosovën, të mos gjykohemi politikisht sepse tek e fundit pas Luftës së Dytë Botërore, forcimi i paqes në botë ndodh pikërisht me themelimin e organizatave të ndryshme joqeveritare dhe bashkëpunimin e ndërsjellë mes shteteve dhe akterëve të këtyre organizatave”, tha në fund Zylfiu.