Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka marrë një sërë vendimesh. Ekzekutivi ka vendosur që 14 prilli të jetë Ditë Memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës se fundit në Kosovë, derisa ka miratuar udhëzimin për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve. Po ashtu, Qeveria ka shkarkuar kryesuesin e bordit të Trainkosit dhe ka emëruar bord të përkohshëm.
Krahas kësaj, qeveria i ka dhënë dritë të gjelbër Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes Financiare ndërmjet Kosovës dhe BE-së për programin IPA 2022, si dhe ka ndarë 287 mijë euro për kompensimin financiar njëhershëm për delegatët e legjislaturës së vitit 1990. Ndërkohë, është shkarkuar kryesuesi i bordit të Trainkosit, Nol Dedaj dhe është vendosur një bord i përkohshëm në këtë institucion.
Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka treguar nevojën për përditësimin e listës strategjike për mallra ushtarake.
Në anën tjetër, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke arsyetuar shkarkimin e kryesuesit të brodit të Trainkosit, ka thënë se ai nuk ka përmbushur përgjegjësitë e tij.
Ajo ka prezantuar edhe emrat e bordit të përkohshëm jo më gjatë se gjashtë muaj, me kryesues Riza Spanca dhe anëtarë: Astrit Mehaj, Hasan Preteni dhe Shaban Neziri./KosovaPress/