Kosovarët merakli për duhan, ja sa milionë euro u shpenzuan për cigare më 2024
Biznes
Lexohet për: 2 min.
Foto Ilustruese
Kosova renditet si vendi më i varfër në Evropë, e përkundër kësaj miliona euro po harxhohen për pirjen e duhanit. Sipas statistikave nga Dogana e Kosovës në vitin 2024, Kosova ka shënuar rritje në vlerën e importit të duhanit si produkt luksi.
Vlera e importit të duhanit është mbi 125 milionë euro në vitin 2024, vlerë kjo mbi 6 milionë euro më shumë se në vitin 2023, sa ishte mbi 119 milionë euro, raporton KosovaPress.
“Gjatë vitit 2024 Kosova ka importuar gjithsejtë 125 milionë e 244 mijë e 175 euro, derisa gjatë vitit 2023 kjo shifër ishte 119 milionë e 170 mijë e 767 euro", thuhet në statistikat e Doganës së Kosovës.
Ndërsa sa i përket sasisë së importit të duhanit, gatë vitit 2024 Kosova ka importuar gjithsej rreth 4 mijë e 150 ton, kurse gjatë vitit 2023 sasia e importit ishte 4 mijë e 187 ton.
Ndërkaq, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ky produkt ka shënuar rritje sa i përket çmimit prej 1.4 për qind më shumë në muajin dhjetor 2024 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, pra me dhjetor 2023.
Përkundër efekteve negative shëndetësore, qytetarët e Kosovës vetes ia plotësojnë qejfet sa i takon përdorimit të duhanit. E në anën tjetër edhe shifrat e personave që vdesin nga përdorimi i duhanit në botë janë të larta sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.