Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi deklaroi se Rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës, do të hyjë në fuqi nesër.
Ai tha se Qeveria e Kosovës është e vendosur që zbatimi i ligjshmërisë në secilën pjesë të Kosovës të jetë i pakushtëzuar dhe i pakompromis. Ai theksoi se janë të përkushtuar që periudhat eventuale tranzitore të sigurojnë që qytetarët të adaptohen sa më shpejt, lehtw dhe pa dëmtime.
Sipas tij, dinari serb nuk ka qenë i lejuar as më herët.
“Ka një sërë brengash që ndërlidhen me ndikimin që zbatimi i Rregullores mund të ketë tek ata qytetarë që kanë pranuar transferi nga Republika e Serbisë përmes strukturave ilegale që kanë operuar dhe vazhdojnë të operojnë kundërligjshëm në treg si dhe ndikimin që mund të ketë kjo Rregullore për ato biznese që për vite me radhë kanë kryer transaksione në dinar e të cilat nuk kanë mundur të regjistrohen në sistemin e llogarive kombëtare e as tatimore nga ATK. Java e kaluar është përcjell me një sërë takimesh, reagimesh, e kërkesash dhe po ashtu ka qarkulluar një mori keqinterpretimesh të mesazheve kryesore që kanë dalë nga këto takime e këto deklarata. Më lejoni që në këtë drejtim të potencoj si vijon: Asnjë nga kërkesat e palëve të involvuara, e sidomos kjo vlen për miqtë tanë ndërkombëtarë nuk e vë në dyshim ligjshmërinë e rregullores të miratuar nga BQK. Nuk e vë në dyshim as faktin që BQK është institucioni i vetëm që dizajnon dhe zbaton politikën monetare në vend. Nuk e vë në dyshim që në gjithë këtë proces BQK është institucion i pavarur dhe që në këtë dizajnim të politikave monetare, BQK i nënshtrohet vetëm Kushtetutës sonë dhe standardeve më të avancuara ndërkombëtare që rregullojnë sistemin e pagesave. Nuk e kontestojnë që euro ka qenë dhe vazhdon të jetë e vetmja valutë zyrtare në përdorim”, deklaroi ai.
“Kjo rregullore sjell një varg risish të rëndësishme që ndërlidhen me ndalimin e ri qarkullimit të monedhës prej 500 eurove, vendosjen e rregullave precize për menaxhimin e importit apo eksportit të kartëmonedhave të dominuara në euro apo valuta alternative, tregon kushtet apo standardet për licencim të operatorëve që merren me importin e kartëmonedhave apo të makinave por vendos edhe rregullat për këmbimin e kartëmonedhave të dëmtuara. Të gjitha këto hyjnë në fuqi ditën e nesërme. Tentativa që data e hyrjes në fuqi të interpretohet vetëm nga këndi i ndikimit që do të ketë në transportimin e valutave në dinar, e shpërfill rregulloren në tërësi dhe devalvon të gjitha këto aspekte të rëndësishme që rregullojnë operacionet me para të gatshme në vend”, shtoi Bislimi.