Draft-statuti i asociacionit të komunave me shumicë serbe, i hartuar nga Bashkimi Evropian nuk është obligues për vendin tonë, thonë në Qeverinë e Kosovës. Sipas tyre, ky dokument, të cilin e kualifikojnë “non-paper”, nuk do të dërgohet në Kushtetuese pavarësisht insistimit të BE-së dhe vendeve partnere të Kosovës.
Jeton Zulfaj, këshilltar politik i kryeministrit Albin Kurti, në një intervistë për KosovaPress thotë se draft-statuti i asociacionit, i dorëzuar nga BE-ja më 26 tetor 2023, ka mund të merr karakter obligues nëse Serbia do të kishte pranuar që të nënshkruhet Marrëveshja Bazë e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit, të dakorduar po ashtu vitin e kaluar.
Zulfaj akuzon Serbinë për destruktivitet në dialog dhe moszbatim të marrëveshjeve, ndërsa pret qasje të re në proces nga BE-ja për normalizimin e raporteve mes dy vendeve edhe pse për momentin nuk janë planifikuar takime të nivelit të lartë në Bruksel.
Në anën tjetër, Zulfaj e sheh si pengesë dialogun në disbursimin e milionave eurove për Kosovën në kuadër të Planit të Rritjes të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor.Sa i përket zhbllokimit të vendimmarrjes në CEFTA, Zulfaj deklaron se i njëjti do të mundësojë zbatimin e tregut të përbashkët rajonal.
Ai përmend edhe sukseset të arritura në kuadër të samitit të Procesit të Berlinit.