Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur” ka reaguar ashpër ndaj një ekspozite të organizuar së fundmi, duke e cilësuar atë si përpjekje për shtrembërim të realitetit dhe mohim të gjenocidit në Kosovë.
Në reagimin e saj, Qendra rikujton se që nga themelimi ka ngritur vazhdimisht shqetësimin për përdorimin e pasaktë të terminologjisë në përkufizimin e krimeve të kryera gjatë luftës së viteve 1998–1999. Sipas tyre, përdorimi i gabuar i termave jo vetëm që deformon të vërtetën historike, por gjithashtu shërben si mekanizëm për mohimin e gjenocidit.
Megjithatë, sipas reagimit, një numër i konsiderueshëm botimesh, si nga autorë shqiptarë ashtu edhe të huaj, kontribuojnë – me vetëdije apo pa vetëdije – në relativizimin dhe mohimin e gjenocidit.
Qendra ka shprehur “revoltë të thellë” ndaj aktivitetit të autorit Shkëlzen Gashi, duke theksuar se ekspozita e tij, e financuar nga taksapaguesit e Kosovës, përmban “sajesa që shtrembërojnë realitetin dhe hyjnë në funksion të mohimit të gjenocidit”.“Plaga jonë e hapur vazhdon të kullojë gjak në pritje të drejtësisë”, thuhet në reagim.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përkatësisht Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës, është duke përcjellë me vëmendje informacionet e publikuara lidhur me ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, e cila ishte vendosur në sheshin "Nënë Tereza" në Prishtinë.