PZAP refuzon ankesat e Kryeziut e Haxhiut të PDK-së
Lajme
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
PZAP refuzon ankesat e Kryeziut e Haxhiut të PDK-së
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa i ka refuzuar si të pabazuara dy ankesat e kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës për rinumërim të votave të kësaj partie.
Në ankesën e parë, kandidati për deputet nga PDK-ja Qëndrim Kryeziu, kishte kërkuar rinumërimin e plotë të votave të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Sipas vendimit të PZAP-së kjo refuzohet si e pabazuar.
“Refuzohet e pabazuar ankesa ZP. Anr. 53/2026 e parashtruar nga Qëndrim Kryeziu, kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), me seli në Prishtinë, paraqitur ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) me seli në Prishtinë, lidhur me rinumërimin e fletëvotimeve në QNR, të kandidatëve për deputet të subjektit politik PDK, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës të mbajtura me datë 7 Qershor 2026”, thuhet në njoftimin e sotëm të PZAP-së.
Sipas të dhënave zyrtare, sipas PZAP-së, në krahasim të rinumërimit në Qendrat Komunale të Numërimit dhe Qendrën e Numërimit të Rezultateve, votat e Kryeziut kanë ndryshuar vetëm në dy vendvotime, por jo 589 vota më shumë.
“Në rastin konkret, nga shkresat e lëndës rezulton se pas rinumërimit të 185 vendvotimeve janë evidentuar ndryshime në rezultatet e kandidatëve në të dy drejtimet, ku një numër kandidatësh minimalisht kanë fituar vota ndërsa kandidatë të tjerë po ashtu ne mënyrë minimale kanë humbur disa vota. Sipas të dhënave zyrtare të krahasimit ndërmjet numërimit në QKN dhe rinumërimit në QNR, votat e kandidatit me numër 103, Qëndrim Kryeziu, kanë ndryshuar vetëm në dy vendvotime. Në total, kandidati ka dy (2) vota më pak pas rinumërimit, dhe jo 589 vota më shumë. Pretendimi për 589 vota nuk përputhet me të dhënat zyrtare të publikuara nga KQZ”, thuhet tutje.
Po ashtu, ankesa i është refuzuar edhe kandidatit tjetër nga PDK-ja, Bekim Haxhiut.
Vendimi i PZAP-së vjen në kohën kur KQZ-ja është në pritje të përfundimit të të gjitha procedurave para shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit.
/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim.
Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.