?Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës ka kritikuar kryeministrin Albin Kurtin për arritjen e pajtueshmërisë me Serbisë në orët e vona të së shtunës mbi aneksin e zbatimit të planit evropian.
Sipas PSHDK-së, Kurti i ka sjellur Kosovës marrëveshje jo të mirë. Sipas PSHDK-së, gjatë dialogut, Kurti e ka sjellur Kosovën në situatën merre ose lëre, “duke sjell marrëveshjen më të dëmshme se Asociacionin”.
Kujtojmë që, Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e zbatimit të planit evropian, i cili do të jetë i obliguar për të dyja palët në momentin e publikimit të tij. Kështu ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell në një deklaratë për media, pas dialogut 12 orësh në mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e BE-së, në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se kanë arritur pajtim publik me Serbinë për zbatimin e aneksit të marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, ai ka thënë se Serbia sërsh nuk e ka nënshkruar të njëjtin. Sipas tij, i takon BE-së tani që të gjejë mekanizma për të detyruar Serbinë të firmosë ujdinë./KosovaPress