Një protestë u zhvillua së fundmi para Ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, ku studentë nga Universitetet e Kosovës ngritën zërin kundër mohimit të së drejtës së studentëve shqiptarë atje për t'iu nënshtruar provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Të mbledhur për të mbrojtur të drejtat e bashkëkombësve të tyre, përfaqësuesit e parlamenteve studentore e cilësuan këtë zhvillim si një shkelje të rëndë të barazisë dhe dinjitetit.
Ajo u shpreh se në vitin 2026 është e papranueshme që të vihet në diskutim dhënia e një provimi profesional në gjuhën amtare, duke shtuar se asnjë jurist nuk bëhet më pak profesionist nëse testohet në gjuhën që njeh më mirë.
Ajo deklaroi se gjuha shqipe nuk është një privilegj, por një e drejtë thelbësore, për të cilën është derdhur gjak e janë bërë sakrifica ndër breza.
“Kjo është pikërisht arsyeja që sot ne jemi mbledhur, që gjuha shqipe të mos mohohet e të mos trajtohet si privilegj, sepse gjuha shqipe nuk është privilegj, është e drejtë e secilit. Dhe jemi këtu dhe jo rastësisht sot unë kam me vete flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për me tregu qartë...Turma: UÇK! UÇK! UÇK! UÇK! UÇK! UÇK! UÇK. Flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që ta dërgojmë në vend amanetin e atyre që e kanë mbrojtur trojet shqiptare, gjuhën shqipe, dhe ne sot si studentë jemi këtu me një mesazh të qartë: Jemi këtu për të mbrojtur gjuhën shqipe”, tha ajo.
“Nuk kërkojmë asgjë më shumë, nuk kërkojmë asnjë privilegj të madh, kërkojmë vetëm të drejtën e shqiptarëve për t'i nënshtruar një testi të jurisprudencës në gjuhën e tyre amtare, gjuhën që ata më së miri e kuptojnë dhe e kanë gjuhë të nënës“, tha ajo.
Nën thirrjet e vazhdueshme të turmës “Ne jemi bashkë!”, organizatorët premtuan se do të qëndrojnë krah vëllezërve dhe motrave të tyre derisa të drejtat e tyre gjuhësore të realizohen plotësisht.