Studentët dhe qytetarët në Serbi janë rikthyer sërish në rrugë, ndërsa pakënaqësia ndaj pushtetit po shndërrohet gjithnjë e më shumë në kërkesë për ndryshime politike dhe institucionale.
Studentët organizuan aksionin “Mos kini frikë, ne jemi ende këtu”, që nisi me homazhe për viktimat e tragjedisë në Novi Sad. Për shumë protestues, kërkesa për drejtësi pas shembjes së strehës në Stacionin Hekurudhor është kthyer në simbol të luftës kundër korrupsionit dhe pushtetit aktual, duke i dhënë protestave karakter më të gjerë shoqëror dhe politik.
Sipas analistëve dhe një pjese të opinionit publik, lëvizja studentore ka mobilizuar mijëra qytetarë dhe ka vënë në qendër çështjen e zgjedhjeve dhe përgjegjësisë politike. Organizatorët thonë se protestat do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave dhe shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Ne kërkojmë zgjedhje dhe besojmë se do të fitojnë ata që luftojnë kundër korrupsionit dhe regjimit që qeveris prej vitesh”, ka thënë studenti nga Beogradi.