Në Tiranë u zhvillua pasditen e sotme protesta e 25-të kundër projektit turistik të planifikuar në Zvërnec ndërsa qytetarët u mblodhën sërish në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt godinës së Kryeministrisë.
Nën reshjet e shiut, protesta nuk pati shumë fjalime, ndërsa me pankarta dhe thirrje, protestuesit kërkuan sikundër ditët e tjera largimin e Kryeministrit Edi Rama, kreut të opozitës Sali Berisha, ndryshimin e sistemit, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin e zonave të mbrojtura.
Protestuesit kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, si dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Një prej aktivistëve foli në podiumin e improvizuar teksa theksoi se qytetarët do e përshkallëzojnë protestat e tyre nëse pushtetarët vijojnë të uzurpojnë karriget me korrupsion.Një protestues foli në lidhje me reagimet ndaj protestës duke thënë se linçimet ndaj protestuesve, i përkasin kohës së komunizmit të egër, raporton ATSH.
“Ky popull është diamant. Të qëndrojmë këtu deri në realizimin e qëllimeve tona. Rama dorëheqjen pa kompromis, e ke të merituar nga veprimet e tua”, tha ai.