Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se Gjykata Supreme ka shkelur të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm në rastin që kishte të bënte me kompensimin e shtesave për higjienistet e angazhuara gjatë pandemisë COVID-19 në Spitalin "Isa Grezda" në Gjakovë.
Në aktgjykimin e publikuar të premten, Kushtetuesja ka shpallur të pranueshme kërkesën e Afërdita Gavranit dhe parashtrueseve të tjera, ka konstatuar se aktgjykimi i Gjykatës Supreme nuk ishte në përputhje me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e ka shpallur atë të pavlefshëm dhe e ka kthyer çështjen në Gjykatën Supreme për rishqyrtim.
Gjykata Themelore kishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e tyre, ndërsa vendimi ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit. Megjithatë, pas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar nga Prokurori i Shtetit, Gjykata Supreme kishte ndryshuar vendimet e dy instancave më të ulëta dhe kishte refuzuar kërkesëpadinë.
Sipas Kushtetueses, gjatë shqyrtimit të rastit, Gjykata Supreme kishte kërkuar një sqarim nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me interpretimin e vendimit të Qeverisë, mbi të cilin më pas kishte mbështetur vendimmarrjen e saj.
Sipas Kushtetueses, kjo ka cenuar parimin e barazisë së armëve dhe kontradiktoritetit procedural, pasi palëve duhet t'u jepet mundësia të njihen dhe të komentojnë çdo provë ose dokument që ndikon në vendimmarrjen e gjykatës.
Për rrjedhojë, Gjykata Kushtetuese vlerësoi se administrimi i këtij sqarimi pa u njoftuar paditëset ka cenuar standardet e një gjykimi të drejtë, duke e shpallur të pavlefshëm aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe duke urdhëruar rishqyrtimin e rastit.