Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj ish-kryeministrit grek Alexis Tsipras, pas qëndrimeve të mbajtura nga partia e tij për ngjarjen e ndodhur në Zvërnec. Rama theksoi se ngjarja nuk duhet të politizohet dhe se respekti për sundimin e ligjit dhe institucionet vendase mbetet prioritet.
Në reagimin e tij, Rama thekson se incidenti nuk duhet të politizohet dhe se respekti për sundimin e ligjit dhe institucionet shqiptare mbetet prioritet. Sipas tij, ngjarja në Zvërnec nuk ndodhi gjatë një proteste të zakonshme për të drejtat e pronës, por në një situatë të tensionuar nga dezinformata të gjera dhe përpjekje për të penguar aktivitetet legjitime të investitorëve privatë, të cilët operojnë në tokë private me dokumentacion të rregullt.
“Uroj të jesh mirë! Ndjesë për shqetësimin, por doja të ndaja habinë time për mënyrën se si, kaq shpejt, edhe partia jote e re ka kontribuar në shndërrimin e një incidenti krejtësisht të izoluar në një çështje me peshë më të gjerë politike, duke shpërfillur faktet e konfirmuara dhe duke vënë theksin mbi gjysmë të vërteta, të cilat shpesh janë forma më mashtruese e pavërtetësisë, sidomos kur marrin edhe ngjyrime nacionaliste!
Rama shtoi se pakica greke në Shqipëri ka të njëjtat të drejta si të gjithë qytetarët dhe bashkëpunimi me qeverinë greke vazhdon për forcimin e tyre, ndërsa i kërkon Tsipras që marrëdhëniet mes dy vendeve të bazohen në fakte dhe respekt për institucionet, duke shprehur besimin se partia e re e ish-kryeministrit grek mund të veprojë politikisht pa mbështetur argumente nacionaliste ose spekulime mbi fqinjët.
“Çfarë më tepër prisnit, Alexis, dhe çfarë masash shtesë do të kishe marrë ti si Kryeministër në këto rrethana? Për aq sa më kujtohet nëse pozicionet do të ishin të kundërta, reagimi yt me shumë gjasë do të kishte qenë shumë më pak vendimtar. Por ky nuk është thelbi. Thelbi është se nuk është as e drejtë dhe as e përgjegjshme të shndërrohet një incident i izoluar në provë të shkeljes së të drejtave të pakicave, të drejtave të pronës apo shtetit të së drejtës. Përkundrazi, një gjë e tillë është e padrejtë, e papërgjegjshme dhe në kundërshtim me vlerat europiane që të dy pretendojmë se ndajmë. Asnjë fushatë zgjedhore nuk mund ta justifikojë një sjellje të tillë, sidomos nga një parti e re që aspiron të përfaqësojë të majtën europiane të shekullit XXI.
Rama shprehet se shpreson që partia e re e ish-kryeministrit grek të mos ndjekë modelet tradicionale të debatit politik të mbështetura te retorika nacionaliste apo instrumentalizimi i çështjeve që lidhen me vendet fqinje për përfitime elektorale.
Në fund të fundit, Europa ka nevojë për më pak reflekse të së kaluarës dhe më shumë besim te faktet, institucionet dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Gjithë të mirat, miku im i vjetër!”, shkruan Rama.
Reagimi i kreut të qeverisë shqiptare vjen pasi një ditë më parë partia e Tsipras, ELAS, deklaroi se po ndjek me “shqetësim të madh” incidentin e ndodhur gjatë protestës në Zvërnec, ku sipas saj mbeti i plagosur një shtetas grek.
“Qeveria duhet të ndërmarrë hapat e duhur për të protestuar dhe për të theksuar se një parakusht për rrugën evropiane të përparimit të Shqipërisë është respektimi i sundimit të ligjit, si dhe i të drejtave të pronës dhe të drejtave të vetëvendosjes së Minoritetit Kombëtar Grek”, thuhej në reagimin e partisë së Tsipras.
Më herët, edhe Athina zyrtare shprehu shqetësimin për incidentin në Zvërnec, duke kërkuar respektimin e plotë të sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.