Protesta në Tiranë, katër persona të arrestuar dhe një deputet në proces të rregullt
Rajoni
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Protesta në Tiranë, katër persona të arrestuar dhe një deputet në proces të rregullt
643369216_1328932275938781_398378329543292234_n
01/03/2026 - 10:20
Linku u kopjua

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka njoftuar arrestimin e katër shtetasve në lidhje me protestën e organizuar mesditën e djeshme, më 28 shkurt 2026, në orën 18:00, e thirrur nga Partia Demokratike e Shqipërisë.

Sipas policisë, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, arrestoi shtetasit me iniciale L. M., 20 vjeç, R. D., 33 vjeç, D. R., 21 vjeç dhe S. R., 36 vjeç. Ata akuzohen për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se gjatë protestës këta shtetas kanë ushtruar akte dhune, kanë kundërshtuar punonjësit e policisë dhe kanë hedhur lëndë piroteknike dhe molotov në drejtim të efektivëve dhe të Vilës 31, në momentin kur në ambientet e saj ndodheshin persona brenda, përfshirë shtetas të huaj, duke rrezikuar sigurinë e tyre.

Si pasojë e incidenteve janë shkaktuar dëmtime në godinën e Vilës 31, si dhe janë dëmtuar 32 kosha mbeturinash të vendosur nga Bashkia Tiranë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar molotovë dhe lëndë piroteknike të hedhura gjatë protestës, të cilat janë dërguar për ekspertime të mëtejshme kriminalistike.

Ndërkohë, është proceduar në gjendje të lirë edhe një i mitur, 16 vjeç, pasi iu gjet me vete municion i dyshuar për armë sportive.

Po ashtu, materialet janë referuar në Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për shtetasin K. B., deputet, për shkelje të ligjit nr. 9754, datë 14.06.2007 “Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridikë”, si dhe për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.

Policia bën të ditur se janë administruar pamjet filmike të protestës dhe po vijon këqyrja e tyre për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari të kundërligjshme. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026