Protesta e opozitës në Shqipëri ka marrë një kthesë të re, teksa protestuesit janë zhvendosur nga Kryeministria drejt Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në zonën e Brrylit, Tiranë.
Simpatizantët e PD-së kanë arritur të çajnë kordonin e efektivëve të policisë, të cilët kishin ngritur një barrikadë përpara godinës, shkruan RTSH.
Në rrugën kryesore pranë Drejtorisë së Policisë është vendosur një kordon tjetër, ndërsa pas tij ndodhet një autobot me ujë, gati për shpërndarjen e turmës.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se marshimi drejt Policisë së Shtetit ka si qëllim “të shënjojë mercenarët e Ramës”.Gjatë marshimit, protestuesit kanë hedhur molotovë, duke tensionuar situatën. Deputetët e PD-së janë vendosur përpara Berishës, duke u bërë mburojë për të kaluar kordonin e policisë.
Kujtojmë se policia ka mobilizuar mbi 1500 efektivë, ndërsa zona është e blinduar me gardhe metalike dhe mjete speciale për shpërndarjen e turmës. Protesta është ende në zhvillim dhe pritet të vijojë me tensione të larta.
“Shqipëria me botën e lirë kundër mullahëve të Teheranit, opozita shqiptare me plehrat kundër qytetarëve të Tiranës”, shkruan Rama.