Për të pestën herë me radhë po protestojnë punëtorët e kompanisë “Kosova Thëngjilli”. Me dhjetëra punëtorë të kësaj kompanie po qëndrojnë për më shumë se katër orë para objektit të Ministrisë së Ekonomisë. Ata po kërkojnë rikthimin në punë pas ndërprerjes së punës nga Korporata Energjetike të Kosovës. Punëtorët dy herë kanë hyrë brenda me ftesë për takim, por në asnjërin rast nuk janë pritur në takim nga ministrja Artane Rizvanolli.
Kryetari i aksionarëve i kompanisë "Kosova Thëngjilli", Imri Restelica i cili është pritur në takim nga këshilltari Vullnet Gacaferri, tha se nuk shpresojnë në zgjidhje të problemit të tyre.
Sipas tij, mbi 160 punëtorë padrejtësisht kanë mbetur pa punë. Megjithatë, Restelica tha për KosovaPress se nuk ka marrë ndonjë përgjigje konkrete.
“Derisa të kemi një takim tjetër zyrtar nuk mund të them që kemi një pozitivitet dhe fjalë pozitive që mund të kryhet diçka... Nuk kanë dhënë afat dhe kohë të caktuar”, ka shtuar ai.
“Ne qe sa vite jemi me protesta pa kurrfarë zgjidhje, po të na i bën zgjidhjen e problemit. Ne nuk po kërkojmë as më shumë, e as më pak. Por, po kërkojmë kafshatën e gojës, se si ministri na i kanë ndërprerë. Kush është nga nga KEK-u. Qeveria mund të bëjë zgjidhjen e menjëhershme të 160 punëtorëve. Ne jemi të varur nga kjo ministri, nëse është ministri e shtetit ”, ka deklaruar Behxhet Fejza.
Me dhjetëra punëtorë, të cilët që nga mëngjesi kanë qëndruar para objektit të Ministrisë së Ekonomisë, po shprehen të indinjuar. Ata thonë se do të qëndrojnë gjatë tërë ditës në rrugë, derisa të takohen me ministren Rizvanolli.
Inxhinieri i prodhimit, Petrit Muleta ka bërë thirrje që ministrja t'i pret në takim, në të kundërtën do të hyjnë me dhunë.
“Nuk janë të interesuar të na bëjnë zgjidhje, kështu që ne do të insistojmë sërish. Prej këtu nuk do të largohemi pa dal ministrja. ‘Nuk është kjo kompetencë e ministrisë’, shumë mirë i dimë kompetencat e kësaj ministrie... Imriu është mirë t’iu përcjell organeve të rendit që ne do të insistojmë me hy brenda direkt te ministrja. Jo, jo do të tentojmë të hyjmë me dhunë brenda”, u shpreh ai.
Inxhinieri Ramadan Berisha tha për KosovaPress se tash e dy muaj janë pa punë dhe se janë në gjendje jo të mirë sociale.
“160 punëtorë në këtë kohë me mbet ma punë, ka 40 vjet që kanë punuar, është njëjtë si me privuar prej jete. Në këtë gjendje ekonomike, gjendja sociale është sikur me privuar nga jeta. Për shembull, ne po bëhemi barrë e shoqërisë, po kalojmë prej një gjendje që kemi mundur të kontribuojmë për shtetin ne po kalojmë në një gjendje sociale që duhet të varemi prej shtetit”, është shprehur ai.