Prokuroria ngrit aktakuzë lidhur me rastin e rrëzimit të kulmit të Komunës së Prishtinës
Lajme
Lexohet për: 3 min.
kulmii
1 orë më parë
Linku u kopjua

Pas një viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë të hënën ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave të dyshuar, Y.J dhe B.B për rastin e rrëzimit të kulmit të Komunës së Prishtinës. Sipas njoftimit të Prokurorisë, i pandehuri Y.J. akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar, si Menaxher i Kontratës “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re” në vlerë totale prej 386,096.20 euro.

“Duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka vepruar ne atë mënyrë që me dashje direkte dhe me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të përfitoj dobi pasurore kompania, ka përpiluar raport dhe ka pranuar se kinse janë kryer punimet e kulmit të ndërtesës së Komunës së Re të Prishtinës edhe pse realisht aty nuk ishin bërë punimet sipas kontratës në pozicionet 2.2, 2.3, 5.1.5.13 dhe 5.14, duke ia mundësuar të kryhen pagesat në drejtim të kompanisë, në këtë mënyrë është  dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës në shumën prej 36,450.29 euro, me çka ka kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, njofton Prokuroria.  

Ndërkaq i pandehuri B.B akuzohet se në cilësinë e personit përgjegjës të kompanisë, i cili ishte i ngarkuar në kryerjen e punimeve të mbikëqyrjes dhe kryerjes së punëve ndërtimore dhe përfundimit të punëve ndërtimore “Rikonstruimi i kulmit të objektit të Komunës së Re”, ka vepruar në kundërshtim me standardet profesionale përgjithësisht të pranuara.

“Në kundërshtim me kushtet e parapara në kontratë, për sanimin e kulmit të ndërtesës ku gjatë ekzekutimit të kontratës ka kryer punë tjera, e jo ato sikur në pozicionet 2.2, 2.3, 5.1.5.13 dhe 5.14, të kontratës së lartcekur, ku ditën kritike për shkak të kushteve atmosferike nga ndikimi i erës një pjesë e  kulmit të ndërtesës së Komunës së Re bie në tokë, në pjesën e rrugës, trotuarit dhe objektit përreth, duke lënduar rëndë të dëmtuarën E.U, në këtë mënyrë është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës në shumën prej 36,450.29 euro dhe janë shkaktuar dëme materiale në pesë veturat e parkuara për rreth ndërtesës, me çka ka kryer veprën penale Punimet Ndërtimore të Kundërligjshme”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se Prokurori i Shtetit dhe të pandehurit kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë si dhe me rastin e ngritjes së aktakuzës i është propozuar Gjykatës që të pandehurit të obligohen që të kompensojnë dëmin material në shumën prej 36,450.29 euro që i është shkaktuar buxhetit të Republikës së Kosovës si dhe të ngarkohen me shpenzimet e procedurës penale.

Kujtojmë se më 18 janar 2024, Elza Ujkani 23-vjeçare mori lëndime të rënda si pasojë e shembjes së kulmit në ndërtesën e Komunës së re në Prishtinë. Ajo fillimisht u trajtua në Qendrën Emergjente në QKUK, pastaj u dërgua në Mjekimin Intensiv për të vazhduar trajtimin. Nga komuna fillimisht ishte thënë se dyshimet e para janë që shembja e kulmit ka ndodhur si shkak i erërave të forta atë ditë, derisa hetimet po vazhdojnë.

https://kosovapress.com/shembja-e-kulmit-rama-kerkon-hetimin-e-plote-te-rastit

https://kosovapress.com/permiresohet-gjendja-e-23-vjecares-qe-u-lendua-nga-kulmi-i-komunes-transferohet-ne-neurokirurgji

https://kosovapress.com/lirohet-nga-aparatura-e-frymemarrjes-vajza-qe-u-lendua-nga-kulmi-i-komunes

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025