Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet I.Z., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale "Vrasje e rëndë" në tentativë dhe "Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve", sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 13 janar 2026, rreth orës 00:15, brenda një lokali në komunën e Deçanit. Prokuroria pretendon se i pandehuri, i motivuar nga përkatësia kombëtare e të dëmtuarve, ka tentuar t’i privojë nga jeta katër persona duke përdorur armë zjarri.
Aktakuza e ngarkon gjithashtu të pandehurin edhe për mbajtje të paautorizuar të armës me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale, në kundërshtim me Ligjin për Armët. Pas arrestimit të tij, gjatë kontrollit dhe bastisjes, autoritetet kanë sekuestruar armën e zjarrit dhe municion.