Në Prizren u përuruan punimet në tri ndërtesa sociale shumëbanesore, në kuadër të projektit “Zbatimi i masave të efiçiencës së energjisë për ndërtesat sociale shumëbanesore”, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë
Shefi i Seksionit të bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë, Hubert Perr, vlerësoi projektin si shembull të bashkëpunimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe institucioneve të Kosovës.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se qeveria gjatë viteve të fundit ka pasur fokus mbështetjen për kategoritë më në nevojë përmes politikave sociale dhe investimeve publike.
“Po i inaugurojmë tri ndërtesa shumëbanesore sociale, ku banojnë gjithsej 51 familje e në 42 prej tyre familjet janë të kryesuara nga gratë. Kjo e bën këtë investim edhe më domethënës, sepse kur përmirësohet banesa sociale, përmirësohet edhe jeta e familjes, përmirësohen kushtet e banimit, rritet edhe ndjenja e sigurisë, por gjithashtu edhe kujdesi dhe barazia.Vlera e përgjithshme e këtij investimi për këto tri ndërtesa është afër 460 mijë euro. Prej kësaj shume, rreth 90% është mbuluar nga granti i siguruar nga Bashkimi Evropian, ndërkaq 10% nga Komuna e Prizrenit. Kjo është formula e mirë e punës publike: qeveria e cila udhëheq, fondi që e zbaton, komuna që bashkëpunon dhe partnerët, të cilët mbështesin, ndërkaq qytetarët fitojnë. Në total, këto tri ndërtesa kanë 4,855 metra katrorë hapësirë banimi, brenda të cilave tash ka familje që jetojnë më mirë, fëmijë që rriten në kushte të mira, prindër që ndihen të sigurt dhe banorë, të cilët e shohin se institucioni publik nuk është larg tyre. Sepse, për ne është e rëndësishme që investimet tona publike të jenë të dobishme në jetën e qytetarit. Nuk mjafton të thuhet se shteti investon, por duhet edhe të shihet se ku po investon, për kë po investon dhe çfarë ndryshimi në jetesën e në përvojat e njerëzve sjell ai investim”, u shpreh Kurti.“Këto janë tri nga 28 banesa në 13 komuna të Kosovës, të cilat kanë përfituar nga investimet në efiçiencë të energjisë në vlerë totale prej 6.6 milionë euro. Nga të gjitha investimet dhe përkrahja për qytetarë, që kanë përfshirë mbi 200 mijë familje e që është përkrahur nga pakoja e BE-së prej 75 milionë euro, ky për mua është projekti më domethënës. Jam shumë e gëzuar që po zbatohet në mënyrë që 900 familje të cenueshme, duke përfshirë shumë gra kryefamiljare, shumë veteranë të UÇK-së, persona me nevojat të veçanta, po përfitojnë dhe do të kenë kushte më të dinjitetshme të jetesës…Urime të gjithë banorëve, 51 familjeve që jetojnë këtu, përfshirë këtu 42 gra kryefamiljare që do t’i gëzojnë këto investime dhe me këtë rast dua gjithashtu të përkujtoj sa e rëndësishme është edhe mirëmbajtja, prandaj këtu banorët dhe komuna sigurisht që kanë një rol të veçantë për të luajtur në vijim në vitet në vijim, për të siguruar që këto investime zgjasin sa më gjatë dhe gëzohen sa më gjatë nga banorët”, tha Rizvanolli.
Drejtoresha menaxhuese e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Njomza Hoxha, theksoi se përmes investimeve janë arritur kursime të konsiderueshme të energjisë dhe përmirësim i kushteve të banimit për familjet në nevojë.
“Dua t’ju falënderoj përzemërsisht për këto projekte, ngaqë pikërisht keni gjetur komunën e Prizrenit për të investuar në një projekt kaq madhështor, kurse ne si komunë mbesim të përkushtuar që në vazhdimësi aty ku ka nevojë, sidomos qytetarëve t’u jemi afër dhe këto investime t’i sjellim në vazhdimësi. Ne presim që edhe projektet e tjera në vazhdimësi t’i investoni në komunën e Prizrenit, ngaqë mbi të gjitha janë qytetarët ata që përfitojnë e kur bëhet fjalë për efiçencën, e cila tani është çdo ditë e më tepër duke u investuar dhe ju jemi jashtëzakonisht mirënjohës ne si komunë e Prizrenit, po ashtu edhe në emër të gjithë këtyre banorëve që kanë përfituar në këtë drejtim“, përfundoi Morina.