Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) publikoi raportin e auditimit të performancës “Renovimi dhe rikonfigurimi i Stadiumit të qytetit në Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë”, duke vlerësuar kështu efikasitetin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), dhe Komunës së Mitrovicës së Jugut, asaj të Gjilanit dhe Gjakovës në menaxhimin e projekteve për renovimin e stadiumeve si dhe përmbushjen e qëllimeve të prokurimit për këto projekte.
Sipas Udhëzuesit të UEFA, tri projektet në fjalë i takojnë kategorisë së katërt të stadiumeve, me kapacitet më të madh, të atilla që në momentin e licencimit, në to mund të zhvillohen ndeshje ndërkombëtare të klubeve dhë kombëtares së Kosovës.“Rezultatet e auditimit kanë vënë në pah se realizimi i këtyre projekteve u përcoll me vonesa disavjeçare, kosto shtesë si dhe cenim të transparencës dhe konkurrencës në proceset e prokurimit. Pavarësisht se kanë kaluar katër deri në shtatë vjet që nga fillimi i procesit, stadiumet janë ende larg përfundimit. Madje, projektet mund të mos përfundojnë plotësisht dhe të mos funksionalizohen brenda afatit optimal kohor”, thuhet në komunikatë.
Konkluzioni i ZKA-së është se MKRS dhe Komunat: Mitrovicë, Gjilan dhe Gjakovë nuk i arritën qëllimet e përcaktuara për renovimin dhe rikonfigurimin e stadiumeve. Rezultatet e auditimit tregojnë se mos sigurimi me kohë i parakushteve të nevojshme bëri që shpronësimi i pronave për projektin e renovimit të Stadiumit Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë të shndërrohet në pengesë kryesore të realizimit të punimeve.
“Përveç kësaj, proceset e prokurimit u përcollën me probleme që cenuan transparencën dhe konkurrencën përgjatë tyre. Procedurat e negociuara në tri raste të prokurimit nuk u arsyetuan siç duhet dhe nuk plotësuan kushtet e duhura për t'u shfrytëzuar si të tilla”, thuhet në raport.
Hartimi i projektit për stadiumin e qytetit në Gjakovë, në mungesë të dokumenteve të nevojshme ligjore, rezultoi me zvogëlimin e numrit të ulëseve dhe kategorisë së stadiumit nga kategoria katër në atë tre, sipas udhëzuesve të UEFA-së. Njëkohësisht, shkaktoi vonesa edhe në realizimin e projektit. Ky projekt është në fazën fillestare të realizimit.
Për të siguruar që projektet e renovimit të stadiumeve të përfundojnë me sukses dhe brenda afateve sa më të shkurtra kohore, ZKA dha nëntë rekomandime.