Bashkimi Evropian ka hyrë në fazën e procesit zgjedhor, në të cilën marrin pjesë aktive edhe disa nga figurat kryesore të institucioneve të BE-së.
Prej të hënës, 7 prill, në fushatë do të jetë edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila është kandidate udhëheqëse e Partisë Popullore Evropiane (EPP) për të siguruar edhe një mandat pesëvjeçar në krye të ekzekutivit të BE-së.
Edhe disa komisionarë tjerë do të jenë në fushatë zgjedhore për partitë e tyre.
Më 24 prill, Parlamenti Evropian do ta mbajë seancën e fundit plenare në këtë përbërje, ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen nga 6 deri më 9 qershor.
Kjo sepse, pas këtyre zgjedhjeve do të formohet edhe Parlamenti i ri, pastaj do të zgjidhet shefi apo shefja e Komisionit Evropian, Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe, po ashtu, edhe një varg krerësh tjerë institucionalë në BE.
E gjithë kjo, thonë diplomatët në BE, mund të ndikojë edhe në angazhimet e BE-së në Ballkanin Perëndimor.
Formalisht nuk do të ketë ndonjë vakum institucional, për shkak se të gjithë komisionarët aktualë do të jenë në postet e tyre derisa të konfirmohen pasardhësit.
Por, nga aspekti politik, në këtë periudhë BE-ja përmbahet nga ndonjë vendim i rëndësishëm politik financiar apo institucional.
Megjithatë, disa burime diplomatike të Radios Evropa e Lirë në BE, thonë se shumica e vendimeve që kanë të bëjnë me rajonin e Ballkanit Perëndimor tashmë janë miratuar dhe gjërat mund të lëvizin pavarësisht tranzicionit në BE.
Së fundi u arrit pajtueshmëri mes Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian për pakon financiare prej 6 miliardë eurosh për reforma dhe zhvillim ekonomik në Ballkanin Perëndimor.
Pas marrjes së vendimit, fati i këtij plani nuk do të varet më nga Parlamenti Evropian, pos rolit mbikëqyrës që do ta ketë në të ardhmen.
Edhe negociatat e anëtarësimit, që janë hapur me disa vende të rajonit, mund të avancojnë nëse në Këshill do të ketë konsenus, dhe këtu nuk do të ketë nevojë për rol të Parlamentit Evropian.
Këto synime para disa javësh i kishte shprehur përfaqësuesi i Qeverisë së Hungarisë në një debat në Parlamentin Evropian.
Hungaria, po ashtu, beson se edhe pagesat e para për disa vende të rajonit nga fondi i rritjes i Ballkanit Perëndimor do të mund të bëhen në pjesën e dytë të këtij viti.
Një proces i cili mund të ndikohet nga transicioni institucional në BE mund të jetë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që, sipas disa diplomatëve të BE-së, edhe ashtu nuk ka shkuar si duhet.
Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialog Mirosllav Lajçak tashmë është përzgjedhur të jetë ambasador i BE-së në Zvicër nga 1 shtatori i këtij viti.
Para se të caktohet se kush do ta ketë atë rol, BE-ja duhet të vendosë se si e sheh atë proces dhe rolin e saj në të.
Krejt kjo do të varet edhe kush do të jetë në krye të Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), që është Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Dhe kjo me kusht që në qershor, vendet anëtare të pajtohen se kush do të jetë president i ardhshëm i Komisionit Evropian, pastaj ai person të marrë mbështetjen e shumicës në Parlamentin Evropian në seancat e para në korrik.
Në atë rast, me propozim të Këshillit Evropian, me pajtim të presidentit të Komisionit, mund të caktohet edhe Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Prej kur ka hyrë në fuqi Traktati i Lisbonës, tre persona kanë qenë në këtë pozitë dhe që të tretë kanë luajtur edhe rolin kryesor politik në emër të BE-së në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Dialogu kishte nisur në mandatin e Catherine Ashton, kishte vazhduar me Federika Mogherinin dhe tash po zhvillohet nën përkujdesjen e Josep Borrellit.
Por shumica pajtohen se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë dhe angazhimi në Bosnje e Hercegovinë - si dy sfidat më të mëdha për BE-në në rajon në aspektin e sigurisë - kanë nevojë për një kujdes të vazhdueshëm edhe në kohën e tranzicionit në BE, për shkak të zgjedhjeve evropiane. /Radio Evropa e Lirë/