"Gjithmonë i lutem Zotit që beba të lind shëndosh”, thotë një grua 25-vjeçare e cila është në pritje të fëmijës së pestë. Rrallë e ka mundësinë që të dëgjojë të rrahurat e foshnjës, e nëntë muajt e shtatzënisë i kalon me ankth e pasiguri.Me njërën dorë mban vajzën e madhe e me tjetrën përkëdhel barkun e rrumbullakosur në muajin e gjashtë të shtatzënisë.
Kjo është Afërdita, e cila thotë se vështirë arrin të sigurojë të hollat për transport, e aq më pak për kontroll mjekësor, që të heq merakun rreth gjendjes së foshnjës që mban në bark.Nëna e tri vajzave dhe një djali, e cila i takon komunitetit rom, mezi arrin të sigurojë ushqimin për fëmijët. Për kontrollet në Klinikën e Gjinekologjisë, nganjëherë kërkon para hua nga fqinjët për biletë autobusi. Por, në të shumtën e rasteve nuk bën kontrolle fare.
Në të njëjtën lagje me Afërditën, jeton edhe Venera. Sa herë që nuk dëgjon të rrahurat e zemrës së foshnjës, ajo thotë se nuk e zë gjumi nga meraku.
“Kur nuk lëvizë beba, them me vete ‘ku me ditë çka ka ndodhë brenda e nuk e di’. Shumë raste po ju ndodhin, ose po ju vdesin në bark ose diçka”, rrëfen Venera e mërzitur.
Çdo të enjte, Afërdita, Venera, por edhe gra tjera të komuniteteve bëhen bashkë në orën këshilluese.
Minushja, siç e njohin rrethi, që nga viti 2017 takohet me gratë të cilat i këshillon për shëndetin riprodhues.
“Mbështetja morale e një gruaje është shumë e nevojshme. Kur janë në shtatzëni një pas një, apo kur është shtatzënia në moshë të hershme, kur janë të reja, duhet të këshillohen dhe të flasim me to, me bisedua me to edhe me fol më gjatë. Çdo ndryshim në trupin e tyre, që mos të tuten se çfarë po ndodhë me to”, shpjegon ajo.
“I kisha të caktuara terminet por nuk kam pasur mundësi të shkojë çdo herë”, thekson ajo.
Ngjashëm jeton edhe Venera, e cila tregon se vjehrra bashkë me bashkëshortin e saj shkojnë në Prishtinë për të kërkuar lëmoshë.
“Edhe në këtë shekull, edhe në ato vitet që sa është hapur qendra, në vitin 2011 ka pasur lindje në shtëpi. Nuk është që kanë marrë parasysh pasojat negative që mund t’i ketë nëna dhe fëmija nëse bëhet një lindje në shtëpi. Dhe kemi menduar si ekip, si staf që duhet të bëjmë diçka që të ndryshojmë këtë”, tregon Arjeta e cila thekson se që nga atë herë kanë filluar me mbajtjen e orëve këshilluese.
Gjendja ka ndryshuar paksa, por ajo thekson se gratë e komuniteteve vazhdojnë të mos bëjnë kontrolle të rregullta tek profesionistët shëndetësor.Kontrollet e vazhdueshme gjatë nëntë muajve të shtatzënisë, por jo vetëm, gjinekolog Jakup Ismajli thotë se janë të domosdoshme.
“Secila grua që dëshiron të ketë një shtatëzani normale, një jetë normale duhet të bëjë kontrolle të vazhdueshme. Duke filluar nga analizat rutinore, ekzaminimet gjinekologjike, e ato janë të domosdoshme, janë të nevojshme dhe se patjetër duhet të bëhen nëse dëshiron një jetë të shëndoshë seksuale, një jetë normale të shëndoshë", deklaron Ismajli.
Edhe në Hulumtimin Kombëtar mbi Antigjipsizmin në Kosovë - të realizuar në vitin 2022 nga organizata "Terres des Hommes" - thuhet se një prej manifestimeve të diskriminimit ndaj qytetarëve romë, ashkali dhe egjiptianë është mosqasja në shëndetësi.
Ndërkaq, Elizabeth Gowing e cila është këshilltare e kryeministrit për Çështjet e Komuniteteve, thotë se qeveria është e përkushtuar për shëndetin e grave të komuniteteve.
"Grupi Punues Ndërinstitucional për Raportimin dhe Parandalimin e Martesave të Hershme në Komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian që u krijua nga qeveria para 10 muajve dhe që unë kryesoj është një shembull tjetër i përkushtimit të qeverisë për shëndetin e grave të këtyre komunitete. E dimë prej statistikave të UNICEF-it bashkë me ASK që 31% te grave të reja nga këto komunitete "martohen" nën moshën 18. Kjo nënkupton qindra vajza çdo vit që kanë shëndetin e rrezikuar, dhe shohim që puna e grupit tonë - si dhe aktivitetet të planifikuar në planin e veprimit ambicioz - po ndikojnë në luftimin e këtij dukurie", deklaron Gowing.
*Afërdita dhe Venera janë emra të ndryshuar me qëllim të mbrojtjes së identitetit.
Ky artikull financohet nga Bashkimi Evropian dhe projekti rajonal "SMART Balkans – Shoqëria civile për shoqërinë e përbashkët në Ballkanin Perëndimor" që zbatohet nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD), Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe mbështetet financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë (NMFA).