Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka thënë se nuk i kontestojnë vendimet e Departamentit Amerikan të Shtetit, pasi ish-zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi është futur në listën e zezë të SHBA-ve.
Ahmeti ka thënë se nëse vërtetohet fajësia, Grubi do të largohet vetë nga funksionet e partisë.
"Mendoj që zotëri Grupi është i përgjegjshëm dhe i ndërgjegjshëm, nuk ka nevojë ta largojë partia, zotëri Grubi sigurisht do të tërhiqet vet nga të gjitha funksionet e partisë”, ka shtuar ai kur është pyetur nëse Grubi do të lirohet nga funksionet e partisë.
Më 9 dhjetor, DASH njoftoi se ka futur në listën e zezë të SHBA-së, Grubin dhe gjykatësin e Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti. Arsyeja, sipas Departamentit të Shtetit, përfshirja në “korrupsion të madh”.“Ky vendim më prek drejtpërdrejt dhe personalisht”, ka thënë ai.
Grubi që vjen nga radhët e BDI-së, ishte numri dy në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut nga viti 2020 deri më 2024.