Kryeqytetit do t’i shtohen edhe 31 autobusë të rinj, disa prej tyre elektrik, me të cilët pritet edhe shtimi i linjave të reja. E derisa paralajmërohet ngritja e çmimeve të biletave për 10 cent më shumë, në komunën e Prishtinës, thonë se rritja e çmimit është kërkesë e BERZH-it, që vije si pasojë e rritjes së çmimeve të derivateve.
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu, në një intervistë për KosovaPress, ka bërë të ditur se në muajin shtator do të fillojë procedura për flotën e re që parasheh ardhjen e 31 autobusëve. Ai gjithashtu shtoi se do të këtë 6-8 autobusë elektrik, që do të mundësojnë linja të reja.
Musliu tregoi se kanë bëre kalkulime në lidhje me çmimet e biletave dhe kanë dalë me rezultate që është e pamundur të operojnë me çmimin aktual të derivateve, pasi brenda kërkesës së BERZH-it, është argumentuar që ata kërkojnë stabilitet financiar. Prandaj në shtator pritet të këtë rritje të çmimit të biletës për udhëtarët për 10 cent, ku çmimi do të jetë nga 40 cent në 50 cent.
“Kërkesa e dytë është shtrenjtimi i biletës prej 40 cent në 50 cent, e që realisht kjo kërkesa e dytë është më e ndjeshme, për faktin që jemi duke u ballafaquar me një ngritje të lartë çmimeve dhe më një krizë, mirëpo këto janë edhe arsyet pse BERZH-i ka kërkuar të këtë edhe një ngritje të çmimit të biletës. Mos të harrojmë, ne ende e kemi një biznes plan të cilin BERZH-i, në koordinim me trafikun urban dhe komunën kanë punuar me ardhjen e flotës të parë që aty është paraparë, siç ka qenë atëherë gjendja diku më pak se 1 euro shpenzimi për litër, pra të derivateve dhe ky zë i shpenzimeve është dyfishuar. kjo është arsyeja që çmimi i naftës më u rrit”, vijojë Musliu.
“Ne procedurat do t’i fillojmë në shtator, pastaj procedura ka disa afate kohore të cilat janë të parapamë me ligj, andaj jo shumë shpejtë mundemi të pranojmë flotën e re, mirëpo do të këtë koordinim në mes të unazës qendrore dhe autobusëve elektrik, të cilët është paraparë me operu brenda kësaj unaze. Kjo taskforca është e njëjta e cila punon edhe për trafikun dhe mobilitetin dhe të gjitha ndryshimet e unazës në trafik, andaj do të këtë harmonizim të vendimeve me qëllim të kemi autobusë me operu edhe unaza dhe në të njëjtën kohë këto dy shërbime të jenë në shërbim të qytetarëve”, ka thënë ai.
Sipas tij, me ardhjen e autobusëve të rinj, do të këtë biletë të integruar, biletë javore, mujore si dhe vjetore, ku do të jetë një kompani përgjegjëse vetëm për transportin publik.
“Ne mendojmë në shtator ta kemi gjithsesi testin e radhës, nuk po dëshirojmë në muajt korrik dhe gusht për shkak të sezonës, për shkak të manifestit, Sunny Hilli-it. Gjithashtu kemi edhe shumë ngjarje të tjera të cilat janë të paraparë në kryeqytet në këto dy muaj, korrik dhe gusht, andaj kemi vendosur që në shtator të kemi testin e radhës, testi i radhës do të jetë në ditë të punës, ndoshta do të jetë i gjatë më shumë se dy ditë dhe do të jetë testi i fundit para së të lëshojmë implementimin e unazës”, tha Musliu.