Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila sot (4 prill) e përfundon mandatin e saj, ia dorëzon këtë detyrë kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Akti ceremonial i dorëzim-pranimit të detyrës do të mbahet në Kabinetin e Presidentes sot (e shtunë) në orën 16:00, bëri të ditur zyra e presidentes Osmani.
Osmani u zgjodh pas raundit të tretë të votimit ku votuan 82 deputetë. 71 nga deputetët votuan për Vjosa Osmani-Sadriu, 11 vota rezultuan të pavlefshme, ndërsa për kandidatin tjetër Nasuf Bejta nuk votoi asnjë deputet.
Para raundit të tretë u zhvillua edhe procedura e dy raundeve, të parit dhe të dytit.Në raundin e dytë votuan 81 deputetë. Për kandidaten Vjosa Osmani-Sadriu votuan 67 deputetë, 11 vota të pavlefshme, ndërsa kandidati Nasuf Bejta mori 4 vota. As pas raundit të dytë, asnjëri nga kandidatët nuk mori vota për t’u zgjedhur president.
Pas publikimit të rezultatit të votave të raundit të tretë, presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu bëri betimin para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e më pas në sallë u intonua himni shtetëror i Republikës së Kosovës.
“Vullneti juaj qytetarë të nderuar, i shprehur më 14 shkurt dhe vendimi i sotëm i Kuvendit, më veshin me shumë përgjegjësi. Dashuria për Kosovën dhe bashkëvendësit tanë ka qenë motivimi më i madh gjatë jetës politike. Sot është dita e Kosovës, është dita juaj, ku vullneti juaj po plotësohet dhe institucionet po konstituohen plotësisht. Të dashur qytetarë, sot Kosova zgjodhi edhe një herë një presidente grua. Vajzat e kanë vendim vetëm aty ku ato vet dëshirojnë, aty ku ato çdo natë ëndërrojnë dhe për çfarë ato punojnë me zell”, deklaroi atë kohë presidentja e Republikës së Kosovës.
“Sot ne kujtojmë rolin e arkitektit të shtetit tonë, Ibrahim Rugovës, i cili politikës ia dha dimensionin më të çmueshëm të saj, dimensionin human. Historia jonë është histori e përkushtimit. T’i kujtojmë sot heronjtë tanë që lirinë e vendit e patën idealin më të çmuar jetësor. Sot kujtojmë trimërinë e komandantit Adem Jashari, secilin ushtar të UÇK-së, familjen Jashari, dëshmorët dhe heronjtë, të gjithë të pagjeturit, martirët e shumtë”, tha ndër të tjera presidentja Osmani.
Pas fjalimit të Osmanit, seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës e cila filloi një ditë më parë, më 3 prill, përmbylli punimet e saj.