Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, kritikoi shtetet perëndimore për përdorim të standardeve të dyfishta në politikat ndërkombëtare, duke tërhequr paralele mes shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe aneksimit të Krimesë.
Ai tha se Rusia mund të përdorë, atë që e ai e quajti “aneksim të Kosovës” nga komuniteti ndërkombëtar si një justifikim për të marrë pjesë të territorit të Ukrainës.
“Rusët, nëse janë cinikë do t’i referohen Kosovës....Ne e aneksuam Kosovën. Ne dhe komuniteti ndërkombëtar. Ajo u mor nga Serbia. Kush e bëri këtë përveç nesh? Nuk është aneksim, është rrëmbim”, tha ai.
Më 31 janar, Millanoviq tha se Gadishulli i Krimesë, që Rusia ka aneksuar nga Ukraina më 2014, kurrë nuk do të jetë pjesë e Ukrainës, teksa foli edhe për kundërshtinë e tij lidhur me dërgimin e armëve në Ukrainë nga Perëndimi.
Një kritikë i zëshëm i politikave perëndimore në Ukrainë, Millanoviq tha se ai nuk dëshiron që shteti i tij, që është anëtar i BE-së, të përballet me pasoja potencialisht të rënda lidhur me luftën në Ukrainë.
Çfarë po bën Perëndimi në Ukrainë, sipas tij, “është thellësisht jomorale sepse nuk ka zgjidhje [për luftën]”, tha Millanoviq për gazetarët në Petrinja të Kroacisë, duke iu referuar mbështetjes ushtarake të Perëndimit për Kievin.
“Është e qartë se Krimea nuk do të jetë kurrë më pjesë e Ukrainës”, tha ai.
Ukraina është zotuar se do të rimarrë kontrollin e Krimesë, që Rusia aneksoi më 2014. Ky aneksim nuk është njohur nga shumica e shteteve. Rusia atëbotë mbajti një referendum, pasi forcat ruse pushtuan Krimenë, dhe tha se banorët votuan që të ishin pjesë e Rusisë. As ky referendum nuk u njoh nga shumica e shteteve.
Pak para se Moska të niste pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt të vitit të kaluar, këto dy rajone separatiste, shpallën pavarësinë, teksa Putin argumentoi që Donjecku dhe Luhansku kanë vepruar sikurse Kosova.
Putin në shkurt të vitit të kaluar po ashtu ka kërkuar që komuniteti ndërkombëtar të njohë Krimenë si pjesë të Rusisë, duke e krahasuar atë me Kosovën.
Më 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me Ligjin ndërkombëtar./REL