Presidenti i FIFA-s, mbron çmimet e larta të biletave për Kupën e Botës.
Sport
Lexohet për: 3 min.
Dëgjoje me zë...
Presidenti i FIFA-s, mbron çmimet e larta të biletave për Kupën e Botës.
infantino
06/05/2026 - 11:18
Linku u kopjua

Presidenti i FIFA-s, Infantino, mbrojti të martën çmimet e biletave të Kupës së Botës, duke këmbëngulur se organi qeverisës global i futbollit ishte i detyruar të përfitonte nga ligjet amerikane që lejojnë rishitjen e biletave për mijëra dollarë mbi vlerën nominale.

FIFA është përballur me kritika të ashpra për çmimin e biletave të Kupës së Botës, me organizatën e tifozëve Football Supporters Europe (FSE) që e quajti strukturën e çmimeve “shantazhuese” dhe një “tradhti monumentale”.

FSE ngriti një padi në Komisionin Evropian në mars duke synuar FIFA-n për “çmimet e tepërta të biletave” për turneun.

Ndwrkohw, faqja e internetit e rishitjes së Kupës së Botës e FIFA-s, FIFA Marketplace, javën e kaluar publikoi katër bileta për finalen e 19 korrikut në New York me një kosto prej më shumë se 2 milionë dollarë secila (1.47 milionë paund).

Duke folur në Konferencën Globale të Institutit Milken në Beverly Hills, Infantino tha se çmimet marramendëse pasqyrojnë kërkesën për të parë Kupën e Botës, shkruan flashscore.

“Nëse disa njerëz i nxisin në treg disa bileta për finalen me 2 milionë dollarë, së pari, kjo nuk do të thotë se biletat kushtojnë 2 milionë dollarë. Dhe së dyti, kjo nuk do të thotë që dikush do t'i blejë këto bileta. Dhe nëse dikush blen një biletë për finalen për 2 milionë dollarë, unë personalisht do t’i sjell atij një hot dog dhe një Coca-Cola për t’u siguruar që ai të ketë një përvojë të shkëlqyer” – tha Infantino.

Grupet e tifozëve kanë krahasuar ndryshimin në çmimin e biletave për këtë verë me Kupën e Botës në Katar në vitin 2022. Bileta më e shtrenjtë për finalen e vitit 2022 ishte rreth 1,600 dollarë me vlerë nominale, ndërsa në vitin 2026 bileta më e shtrenjtë për finalen është rreth 11,000 dollarë me çmimin e saj origjinal.

Infantino ishte i bindur se rritja e ndjeshme e çmimeve me vlerë nominale ishte e justifikuar.

“Duhet të shohim tregun, jemi në tregun ku argëtimi është më i zhvilluari në botë. Pra, duhet të zbatojmë normat e tregut. Në SHBA lejohet edhe rishitja e biletave. Pra, nëse do të shisnit bileta me një çmim shumë të ulët, këto bileta do të rishiten me një çmim shumë më të lartë” – tha ai.

Tutje, Infantino tregoi se FIFA mori mbi 500 milionë kërkesa për bileta për vitin 2026, krahasuar me më pak se 50 milionë të kombinuara për Kupat e Botës 2018 dhe 2022.

Udhëheqësi i FIFA-s shtoi se 25 përqind e biletave për fazën e grupeve kishin një çmim nën 300 dollarë.

“Nuk mund të shkosh të shikosh një ndeshje kolegji në SHBA, e lëre më të flasim për një ndeshje të nivelit të lartë profesional të një niveli të caktuar, për më pak se 300 dollarë. Dhe kjo është Kupa e Botës” – përfundoi Infantino.

Kupa e Botës do të zhvillohet për herë të parë në tre vende Kanada, Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga 11 qershori deri më 19 korrik 2026.

KosovaPress

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026