Premtime të mëdha për shëndetësinë, por pa plane konkrete
Tema
Lexohet për: 3 min.
Intervenimet e bëra në shëndetësi nuk e kanë rritur mirëqenien e pacientëve
Foto Ilustruese
6 ditë më parë
Linku u kopjua

Funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore dhe i Sistemit Informativ Shëndetësor, ndërtimi i spitaleve të reja, digjitalizim i sistemit shëndetësor, ndërtimi i një qendre të re spitalore e krijimi i një rrjeti të laboratorëve, janë vetëm disa nga premtimet që kandidatët për kryeministër vazhdojnë t’i paraqesin para qytetarëve të Kosovës në këto ditë fushate. 

Megjithatë, njohës të kësaj fushe vlerësojnë se partitë politike edhe gjatë kësaj fushate për zgjedhjet e 9 shkurtit kanë treguar se nuk e kanë prioritet sektorin e shëndetësisë.

Derisa partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje zotohet për ndërtimin e spitalit të ri në Ferizaj dhe Mitrovicë, poliklinika në gjashtë  komuna, e shtim buxheti për listën esenciale deri në 100 milionë euro, Lidhja Demokratike e Kosovës në programin e saj qeverisës ka ndërtimin e një qendre të re spitalore, decentralizimi i SHSKUK-së, pajisje të reja shëndetësore e reduktim të listës së pritjes për pacientët.

Kurse, disa nga premtimet e Partisë Demokratike të Kosovës për këtë sektor janë 100% rritje të buxhetit për blerjen e barnave esenciale, 50% rritje të pagave për mjekët, infermierët dhe personelin shëndetësor, barna falas për të moshuarit me sëmundje kronike dhe të prekurit me kancer, funksionalizim të Sigurimeve Shëndetësore dhe digjitalizim të sistemit shëndetësor. Ndërsa Aleanca për Ardhmërinë  e Kosovës së bashku me NISMA-në, premtojnë strategji për reformë të thellë në gjithë sistemin shëndetësor, mjekun familjar, plan për rivitalizim të QKUK-së, buxhet dy vjeçar për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore dhe autonomi të plotë për spitalet regjionale.

Fokusin te sigurimet shëndetësore e SISH e kanë edhe Koalicioni për Familjen.

Njohësi i politikave shëndetësore, Liridon Bllaca thotë se subjektet politike nuk janë serioze karshi këtij sektori. Sipas tij, premtimet në aspektin shëndetësor nuk janë konkrete.

Bllaca duke komentuar disa nga programet e partive politike për shëndetësi, thekson se po premtohet funksionalizimi i sigurimeve shëndetësore, SISH-it, fuqizim i QKUK-së, si dhe krijimi i një qendre të re spitalore.

Në anën tjetër, Shoqata për mbrojtjen e të drejtave të pacientëve konsideron se asnjë parti politike nuk po flet për ndryshime në sistem.

Sipas kryetarit të PRAK-ut, Besim Kodra përgjatë këtyre tri javëve fushatë janë premtuar investime me kosto të lartë, por të cilat kanë impakt të vogël në mirëqenien e pacientit.

Kodra madje potencon se programet aktuale të partive politike për shëndetësi, janë thuajse ato të kaluarat me ndonjë përditësim të vogël.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit ka nisur më 11 janar 2025.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025