Kardiokirurgjia shënon numër rekord të operimeve në zemër të hapur
Shëndetësi
Lexohet për: 4 min.
kardio-kirurgjia-200125
1 orë më parë
Linku u kopjua

Shërbimi Klinik i Kardiokirurgjisë, gjatë vitit 2024 ka shënuar numër rekord të ndërhyrjeve në zemër të hapur. E falë rinovimeve që kanë ndodhur po në këtë njësi janë krijuar mundësitë që të rritet edhe numri i operacioneve më të komplikuara për pacientët.

Përmirësimet infrastrukturore që kanë ndodhur vitin e kaluar kanë rritur numrin e shtretërve në njësinë intensive, por edhe në gjithë klinikën, thotë drejtori  i Shërbimit klinik të Kardiokirurgjisë, Shpejtim Shurdhiqi.

Sipas kardiokirurgut të QKUK-së me krijimin e kushteve tashmë është rritur edhe numri i ndërhyrjeve kirurgjikale në zemër të hapur.

“Ka qenë një vit jashtëzakonisht i suksesshëm për shërbimin klinik të kardiokirurgjisë, gjatë vitit 2024 kemi arritur që të bëhet një rinovim i klinikës në tërësi e cila ka krijuar një hapësirë të mirë për të gjithë stafin,  e posaçërisht për pacientët. Ajo që është me rëndësi është arritur që të rritet numri i shtretërve në intensiv, është rritur numri nga 4 në 10 shtretër, ndërsa në repart është rritur numri prej 14 në 17.  Kështu që kjo hapësirë e rritur, rinovimet e pjesës së nënkulmit ka bërë që të kemi një aktivitet më të shtuar të ndërhyrjeve kirurgjike në repartin tonë.. kemi arritur që ky numër i operacioneve të rritet ndjeshëm, përderisa më herë janë realizuar 6-7 operacione brenda javës tash kemi arritur që ky numër të arrijë në 10, shto edhe rastet urgjente apo emergjente të cilat kryhen gjatë tërë javës. Kjo ka ndikuar në masë të madhe që të kemi gradualisht edhe zvogëlim të listës së pritjes, e cila mendoj se në të ardhmen, ky numër i listës së pritjes do të reduktohet edhe mëtutje”, thotë Shurdhiqi.

E numër rekord të operimeve kjo njësi ka shënuar vitin e kaluar.

“Vitin e kaluar është një numër  rekord i operimeve gjatë historisë së kardiokirurgjisë, deri në fund të dhjetorit kemi arritur që të kryhen 372  intervenime kirurgjike në zemër të hapur. Kjo siç ka thash ka ndikuar që edhe lista e pritjes lehtësisht të arrihet dhe të zvogëlohet”, theksoi kardiokirurgu Shurdhiqi.

Në Kardiokirurgji duke nisur nga viti i kaluar është rritur edhe numri i operimeve të komplikuara në zemër të hapur.

Drejtori i kësaj njësie, Shpejtim Shurdhiqi thotë se planifikojnë që në periudhën dy deri tri vjeçare të realizohen më shumë ndërhyrje me metoda minimale invazive.

“Krahas numrit është rritur edhe numri i operacioneve më të komplikuara çka do të thotë se me një pacientë sot kryhet ndërrimi i dy ose tre valvulave apo tek i njëjti pacienti kryhet edhe ndonjë bajpas.  Janë operacione komplekse përderisa më herët kanë qenë shumë më të rralla.  Kështu që tash është një formë rutinë e kryerjes së operacioneve të kombinuara  duke përfshirë edhe pjesën valvulare edhe pjesën  rivaskularizimit të zemrës, po shto këtu edhe intervenimet që kanë të bëjnë me sëmundjet e aortës qofshin ato elektive apo emergjente të cilat kryhen gjatë javës apo viti... Gjatë vitit të kaluar në bashkëpunim me Spitalin e Zyrihut me ndihmën e profesorit, Xhemajli kemi arritur që të kryhen edhe tri raste me metoda minimale invazive e cila në të ardhmen neve na hup rrugën që në periudhë 2-3 vjeçare të fillohen edhe këto procedura të realizohen në kuadër të klinikës”, theksoi Shurdhiqi.

Duke qenë që kryerja e një intervenimi kirurgjik në zemër në institucionet private shëndetësore për pacientët kosovarë ka kosto të lartë e cila prek shifrat deri në 30 mijë euro, ofrimi i këtij shërbimi në QKUK bëhet pa pagesë.

“Operacionet në  zemër të hapur tek ne bëhen pa pagesë, kurrfarë pagese nuk kryhet nga ana e pacientit apo familjarëve kështu që është një përparësi e madhe, se zakonisht intervenimet tona kushtojnë shumë mbi 10 mijë, 20 mijë, 30 mijë euro kështu të gjitha kryhen pa kurrfarë pagese apo financimi”, shprehet ai.

Shërbimi i Kardiokirurgjisë po planifikon që përgjatë këtij viti të pasurohet edhe me pajisje të reja./KosovaPress/

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2025