Prekazi, aty ku zjarri i lirisë nuk shuhet kurrë
1-First
Lexohet për: 2 min.
Dëgjoje me zë...
Prekazi, aty ku zjarri i lirisë nuk shuhet kurrë
Prekazi 1234
07/03/2026 - 18:43
Linku u kopjua

Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kulmoi sonte në Prekaz me ceremoninë tradicionale të Natës së Zjarreve, një nga momentet më simbolike të përkujtimit të rënies heroike të familjes Jashari. Në 28-vjetorin e kësaj ngjarjeje historike, qytetarë të shumtë nga të gjitha trojet shqiptare u mblodhën në Kompleksin Memorial në Prekaz për të nderuar sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari që ranë për lirinë e Kosovës.

Ceremonia u zhvillua në zemrën e Prekazit. Pjesëtarë të Ushtrisë së Kosovës ndezën flakadanin pranë Kullës së Lirisë, duke nisur kështu ritin tradicional të Natës së Zjarreve. Pas nderimit që i bënë kullës, ata marshuan drejt vendit ku prehen dëshmorët e kombit, pranë varreve të komandantit legjendar Adem Jashari, bacës Shaban, Hamzës, dajës Osman dhe të gjithë anëtarëve të tjerë të familjes  Jashari.

Flakadanë u ndezën edhe pranë shtëpisa së heroinës Nënë Shkurte dhe tek bunkeri i komandantit Adem Jashari. Nga këto tri drejtime, nga kullat e Jasharajve, nga shtëpia e Nënës Shkurte dhe nga bunkeri, pjesëtarët e Ushtrisë së Kosovës u nisën drejt një pike të përbashkët, duke simbolizuar bashkimin e forcave që luftuan për lirinë e vendit.

Në këtë marshim simbolik u bashkuan edhe ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët konsiderohen vazhdimësi e Ushtrisë së Kosovës si dhe qytetarë, nxënës dhe të rinj nga kjo trevë. Të gjithë së bashku marshuan drejt vendit ku ranë dëshmorët e kombit.

Nxënësit e shkollës “Hamzë Jashari” u rreshtuan me respekt para varrezave për të bërë nderime. Ata vendosën lule një nga një mbi varret e heronjve të familjes Jashari, në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për sakrificën e tyre.

Flakadanët e ndezur gjatë ceremonisë simbolizojnë përhapjen e zjarrit të lirisë dhe të luftës çlirimtare gjithandej Kosovës.

Ndërsa, zjarri më i madh që ndizet gjatë kësaj nate përfaqëson zjarrin e pushkës së komandantit legjendar Adem Jashari, simbol i qëndresës dhe sakrificës për liri.


/Kosovapress/
Lajmi i plotë ëshë në sistemin me parapagim. Abonohu për ti shfryëzuar shërbimet KosovaPress-it.
Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2026