Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, ka deklaruar se dialogu Kosovë-Serbi duhet të përfundojë me njohje reciproke. Megjithatë, ajo ka theksuar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është një urgjencë.
Power, e cila po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, nënvizoi rëndësinë që palët në dialog të shkëmbejnë idetë për Asociacionin në mënyrë që të arrihet kompromisi.
Krahas kësaj, shefja e USAID-it, tha se nënshkrimi i Deklaratës për të zhdukurit më 2 maj në Bruksël, është shumë e rëndësishme dhe se duhet të zbatohet konkretisht.
Këto komente Power i bëri të enjten në Gjilan, pas vizitës në kompaninë "Frutomania", ku takoi edhe fermer të vegjël në këtë zonë.
Gjatë ditës Power do ta takojë edhe ndërmarrësit e rinj në Qendrën e Inovacionit të Kosovës (ICK). Kurse nesër do të pritet në takim nga kryeministri Albin Kurti./KosovaPress/