Zyrtarë të Policisë së Kosovës u sulmuan me mjet shpërthyes gjatë natës në Mitrovicë të Veriut.
Siç informoi Policia, dyshohet se mjeti i dyshuar shpërthyes i hedhur në drejtim të zyrtarëve policor është shok-bombë.
Lidhur me rastin, u njoftua edhe Prokurori i shtetit, i cili urdhëroi inicimin e rastit si ’Sulm ndaj personit zyrtar’. Hetimet intensive për zbardhjen e këtij rasti janë në proces.
“Policia e Kosovës pavarësisht akteve të tilla nga individ apo grupe të caktuara kriminale mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në funksion të ruajtjes së rendit, garantimit të sigurisë së qytetarëve pa dallim, si dhe arrestimin dhe sjelljen sa më parë para organeve të drejtësisë të personave të dyshuar të përfshirë në raste të tilla.”, u bë e ditur tutje nga Policia.