Policia e Kosovës sqaroi se në vilën e Millan Radoiçiqit në Mitrovicë të Veriut çdo hyrje-dalje monitorohet nga policia dhe se hyrja-dalja bëhet vetëm nga personat e autorizuar: zyrtarët policorë, zyrtarët e mbrojtjes së afërt, zyrtarët institucionalë dhe vetëm personat që marrin leje të caktuar dhe në asnjë rast nuk lejohen persona të tjerë apo civilë.
Sqarimi i Policisë së Kosovës që nuk përmend emra, vjen pas akuzave të ish-deputetit Hisen Berisha ndaj ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për prostitucion, që Berisha i bëri në një debat të ashpër me ish-deputetin e Vetëvendosjes Adnan Rrustemi.
Kumtesa e plotë e Policisë së Kosovës:
Policia e Kosovës, referuar kërkesave dhe pyetjeve të adresuara nga media dhe gazetarë rreth deklarimeve, keqpërdorimeve dhe çështjeve të ndryshme se kinse kanë ndodhur në 'Villën e Radojqiqit' në Mitrovicë Veri, sqaron dhe njëherësh informon se:Objekti sigurohet nga zyrtarët policorë dhe i njëjti vëzhgohet 24 orë nga kamerat, të cilat mbikëqyren nga zyrtarët policorë dhe qendra operative.
Çdo lëvizje apo hyrje-dalje në këtë objekt, monitorohet nga policia dhe se hyrja-dalja, bëhet vetëm nga personat e autorizuar që u lejohet qasja, siç janë zyrtarët policorë, zyrtarët e mbrojtjes së afërt, zyrtarët institucional dhe vetëm personat që marrin leje të caktuar dhe në asnjë rast nuk lejohen përsona të tjerë apo civil.