Policia e Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet e Eparkisë Rashkë-Prizren se po ushtron presion, diskriminim apo frikësim ndaj pjesëtarëve të komunitetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe të pambështetura në fakte.
Përmes një komunikate për media, Policia thekson se pretendimet nuk pasqyrojnë realitetin e veprimtarisë së saj dhe krijojnë një perceptim të rremë për mandatin dhe funksionimin e institucionit.
Policia rikujton se për më shumë se një dekadë ka garantuar zhvillimin e sigurt të qindra ceremonive fetare, pelegrinazheve dhe aktiviteteve të Kishës Ortodokse Serbe, në bashkëpunim me përfaqësuesit e Kishës, KFOR-in dhe institucionet tjera relevante.
Lidhur me ceremoninë e 28 qershorit 2026 në Gazimestan, Policia sqaron se ajo është zhvilluar sipas një plani të posaçëm operacional dhe pa ndërhyrje apo pengesa nga ana e saj. Sipas komunikatës, masat policore të ndërmarra pas përfundimit të ceremonisë nuk kanë qenë të drejtuara ndaj besimtarëve apo identitetit serb, por vetëm ndaj personave për të cilët ka pasur dyshime të arsyeshme për nxitje të urrejtjes, provokim ose cenim të rendit publik. Gjithashtu, theksohet se vendimet për gjoba, dëbim apo ndalim hyrjeje janë marrë nga organet kompetente administrative dhe gjyqësore, e jo nga Policia e Kosovës.Aktualisht, sipas Policisë, 24 objekte të trashëgimisë kulturore dhe fetare serbe ruhen 24 orë në ditë nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës, ndërsa varrezat e të gjitha komuniteteve monitorohen në baza ditore.
Policia publikoi edhe statistika për rastet që kanë të bëjnë me objektet e trashëgimisë kulturore dhe fetare. Gjatë vitit 2024 janë evidentuar 53 raste, prej të cilave 64 për qind kanë ndodhur në objekte myslimane, 30 për qind në objekte ortodokse dhe 6 për qind në objekte katolike. Në vitin 2025 janë regjistruar 35 raste, ndërsa në periudhën janar-qershor 2026 janë evidentuar 34 raste, ku shumica dërrmuese lidhen me vjedhje dhe vjedhje të rënda.
Në fund, Policia e Kosovës rithekson se do të vazhdojë të ofrojë siguri për të gjitha komunitetet pa dallim dhe për objektet e trashëgimisë kulturore e fetare, duke ftuar qytetarët të vazhdojnë bashkëpunimin për ruajtjen dhe rritjen e sigurisë në vend.