Policia e Kosovës dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi kanë njoftuar për vendosjen e sistemit të vëzhgimit me kamerë në komunat e pjesës veriore të Kosovës, i cili aktivitet zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional.
Sipas një komunikate të përbashkët ky aktivitet është bërë në konsultim mes dy institucioneve në ushtrimin e mandatit të tyre ligjor.
Sipas njoftimit, Policia e Kosovës është këshilluar me Agjencinë për Informim dhe Privatësi lidhur me përpunimin e të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit me kamerë, dhe se këto të dhëna do të përpunohen për qëllime të qarta, të ligjshme dhe legjitime, duke garantuar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të individëve.
“Çdo veprim në këtë proces siguron një bazë të duhur ligjore dhe për këtë qëllim, vendosja e sistemit të vëzhgimit me kamerë në komunat e pjesës veriore të Kosovës, është kryer në prezencë të inspektorëve të AIP-së. Nëpërmjet kësaj nisme, Policia e Kosovës dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi theksojnë angazhimin e tyre për të mbrojtur dhe përmirësuar sigurinë publike, duke respektuar plotësisht kuadrin ligjor që rregullon mbrojtjen e të dhënave personale dhe të drejtat e qytetarëve”, përfundon njoftimi.