Deputetja britanike Alicia Kearns ka reaguar pas formimit të grupit punues të Serbisë me urdhër të presidentit Aleksandar Vuçiq, për të punuar në parandalimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Kearns në rrjetin social X ka kritikuar BE-në se po demonstron zero ekuilibër ndaj Serbisë. “Vazhdimisht, BE nuk ka qasje të balancuar kur bëhet fjalë për Serbinë,” shkroi Kearns.
Serbia sot ka formuar grupin punues që do të merret me koordinimin e aktiviteteve të organeve shtetërore për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Grupi punues u formua me urdhër të Vuçiq, gjatë seancës të mbajtur sot në Qeverinë serbe. Grupi punues udhëhiqet nga Ivica Daçiq, shefi i diplomacisë serbe, së bashku me shefin e të së ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq. Anëtarë do të jenë ministrja për Integrime Evropiane, Tanja Mishçeviq, dhe ministri i Tregtisë, Tomisllav Momiroviq.