Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka dalë me njoftim lidhur me plagosjen e gruas në Fushë Kosovë, e ku i dyshuar është bashkëshorti i saj.
Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se i pandehuri me inicialet I. A ishte ndaluar më 2 gusht të këtij viti për veprën penale “Dhunë në familje”.
Ndërsa, më katër gusht të po këtij viti, prokurori i shtetit ka ngritur aktakuzë me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.A.
Njoftimi i plotë:
Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton opinionin publik se Departamenti i Përgjithshëm i kësaj prokurorie, më datë 02.08.2024 në ora 17:30, ka ndaluar të pandehurin I.A, për shkak të dyshimit se i njëjti ka kryer veprën penale ‘’Dhunë në familje’’ nga neni 248 të KPRK-së.
Ju njoftojmë se më datë 04.08.2024, Prokurori i Shtetit ka ngritur Aktakuzë me kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.A.
Gjykata ka refuzuar propozimin e Prokurorit të Shtetit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, ashtu që ndaj të pandehurit I.A, është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar.
Ndërkaq, sot, më datë 06.08.2024, i pandehuri I.A, është arrestuar në fshatin Bresje, në Fushë Kosovë, me dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘’Vrasje e rëndë në tentativë’’ nga neni 173 lidhur me nenin 28 të KPRK-së, ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ nga neni 366 i KPRK-së dhe ‘’Mospërfillja e gjykatës’’ nga neni 393 të KPRK-së.
Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë duke punuar intensivisht me qëllim të ndriçimit të rrethanave të cilat i kanë paraprirë kryerjes së këtyre veprave penale.
https://kosovapress.com/plagoset-nje-grua-ne-fushe-kosove-policia-jep-detaje